Pak pasi takoi ambasadorin amerikan në Tiranë, kryetari i PD, Lulzim Basha doli me një deklaratë të shkurtër.
Takimi i tij me Donald Lu, për mediat pranë PD ishte në kuadër të akuzave ndaj kreut të Kuvendit.
Basha vetë flet në deklaratë edhe për akuzat që po i bëhen ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri nga një ish-oficer i lartë policie.
Sipas Bashës, partnerët ndërkombëtarë janë të alarmuar.
“Kryetari i Kuvendit dhe Ministri i Brendshëm janë nën akuza të rënda, të pakapërdishme.
Numri dy i vendit, Ilir Meta, është zbuluar se ka marrë rryshfet nga një kompani e bekuar prej tij. Faktet janë bërë publike, rryshfeti i tij është paraqitur si argument në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë nga zyra ndërkombëtare e avokatisë, e qeverisë shqiptare.
Ministri i Brendshëm akuzohet nga Dritan Zagani, oficer i lartë i policisë, i angazhuar për vite në luftën anti-drogë, si kumbari i bandave të narkotikëve në Jug, kryesisht në Vlorë. Fakte dhe prova kanë dalë në publik.
Mjetet private të Ministrit jane përdorur prej kushërinjve të tij Habilaj që njihen si kokat e trafikut. Aksionet antidroge të policise jane dekonsipuar në mënyrë të përsëritur, duke ndihmuar trafikantet e duke vënë në rrezik jetën e oficerit e familjes së tij.
Quo Vadis Shqipëria. Qytetarët e vendit me jetën që u është bërë ferr nga qeveria, janë shtangur nga këto raste korrupsioni dhe lidhje me krimin. Partnerët tanë ndërkombëtarë janë të alarmuar.
Ndërkohë që këto ngjarje të rënda ndodhin, Edi Rama i thotë marshalla krimit e korrupsionit, ndan hesapet me ortakët e zyrtarët e tij, dhe i sulet si bishë të pamundurve.
Partia Demokratike nuk do të lejojë që vendi ynë të përfundojë në republikë me standardet e Mugabes për korrupsion e me rekordet kolumbiane për drogë. Nuk kemi për ta lejuar. Jemi më të fortë e më të vendosur se kurrë bashkë me qytetarët e vendit,” thuhet në deklaratën e Bashës.