Sot në Sallën e Hartave në kryeministri Edi Rama ka qenë së bashku me kryebashkiakët e zgjedhur në 21 qershor, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me kompaninë ndërkombëtare “Gran Thorton Albania”, e cila me një financim të PNUD, do auditojë librat e llogarive të njësive të vjetra.
Sipas Ramës kompania “do orientojë procesin e konsolidimit financiar me standardet e një shteti modern pas një rrënimi mjerues të financave e të nivelit të qeverisjes vendore gjatë tranzicionit pafund”.
Kryeministri u shpreh më tej se “ky takim vlejti për të përpunuar më tej planin e qeverisë për refomën e decentralizimit; për të shpjeguar pse çdo bashki duhet të kontribuojë në luftën kundër informalitetit; për të prezantuar vizionin e reformës së ujit; si edhe për të bërë të qartë se është koha e administrimit të përgjegjshëm të energjisë elektrike.
Qeveria do të bashkëpunojë me çdo bashki dhe me çdo të zgjedhur pa dallime partiake, por do te bazohet në çdo hap në parimin e reciprocitetit në raport me detyrimet e ndërsjella mes saj dhe qeverisjes vendore.”
Binte në sy prezenca e kryebashkiakëve të djathtë, të cilët ishin për herë të parë që të gjithë në takim me Ramën.
Nga Xhelal Mziu, te Fiqiri Ismaili, duke kaluar nga kryetari i bashkisë së Lezhës e kështu me radhë, duket se të zgjedhurit vendorë të PD-së i kanë dhënë fund bojkotit ndaj kryeministrit.