Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Pakti Qeveri-PD ngec te “prezumimi i pafajësisë”

$
0
0

ermonela felajErmonela Felaj: Ligji do të ketë efekte prapavepruese. Por gjërat që ne nuk do t’i kishim të negociueshme kanë të bëjnë me atë që njihet si prezumimi i pafajësisë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj tha dje në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku, se projekti i qeverisë për dekriminalizimin do të veprojë mbi deputetët e Kuvendit aktual. Ky duket një hap pas i qeverisë, e cila më parë kishte folur për Kuvendin e ardhshëm. Por Felaj shton se “ajo që nuk mund të negociohet me opozitën është pranimi i prezumimit të pafajësisë”, çka do të thotë se qeveria me ligjin e ri do të parashikojë largimin nga Kuvendi vetëm të anëtarëve të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, ndërsa opozita në projektin e saj e shtrin largimin deri te deputetë me rekorde kriminale. Kjo bën që palët të jenë larg marrëveshjes. Efekti i ligjit do të shtrihet edhe te nëpunësit civilë, çka e bën të nevojshëm kalimin e të gjithëve në një filtër pastërtie penale.

Zonja ministre, si e mendoni ju dekriminalizimin e Parlamentit? Në pikëpamjen time, deputetët janë përfaqësuesit e shoqërisë sonë. Ne kemi nevojë për dekriminalizimin e shoqërisë, që më pas të arrijmë dekriminalizimin e Parlamentit. Në një mënyrë apo tjetër, ne i meritojmë ata që janë në parlament…

Roland, unë dua të them që në fillim se nuk jam dakord me shprehjen ‘dekriminalizim’. Aq më pak dekriminalizim i Parlamentit dhe aq më shumë dekriminalizim të shoqërisë. Sepse, çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se të gjithë individët që janë aty janë kriminelë?! A kemi ne nevojë që të ndalojmë që njerëz të dënuar të zgjidhen apo të emërohen në funksione publike, qofshin këto të zgjedhura apo të emëruara? Përfitoj nga rasti që, nga pozitat e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, t’ju konfirmoj edhe në emër të qeverisë, që ne jemi të gatshëm që brenda këtij muaji të paraqesim dhe të miratojmë ligjin për ndalimin e hyrjes në funksionet publike të zgjedhur apo të emëruar të personave që janë të dënuar për krime të qëllimshme apo për krime të rënda me dashje, të formës së prerë. Këtë gjë do ta bëjmë duke u bazuar në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare. Një eksperiencë e tillë është ajo italiane. Kemi pasur fatin që bashkë me Kryeministrin të takojmë edhe hartuesin e ligjit në Parlamentin italian dhe kemi marrë përgjigje për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet tona. Ky tekst do të shqyrtohet dhe do jetë prezent në komisionin e posaçëm të ngritur për Reformën në Drejtësi. Dhje kjo nuk është e lidhur vetëm me ata që kryejnë detyra të larta shtetërore, por në të gjithë kapilarët e shtetit.

Për cilat nivele bëhet fjalë?

Për të gjithë ata që kanë statusin e Nëpunësit Civil.

A do ketë efekte prapavepruese ligji?

Sigurisht që do ketë efekte prapavepruese.

A do ketë largime nga Parlamenti dhe detyra të tjera të larta shtetërore?

Kjo ka qenë një pikë që kemi diskutuar më shumë me hartuesit e ligjit italian. Kështu nuk ka vend për të gjykuar mazhorancën, sepse mazhoranca ka qenë në krye të herës e gatshme ta realizojë këtë. Dhe këtë proces ta realizojë bashkë me opozitën. Këto ditë opozita ka depozituar në Kuvend dy projektligje; një për ndryshimet kushtetuese dhe një për largimin e këtyre personave që ne folëm, nga institucionet shtetërore. Të dy janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kështu, ne jemi të detyruar të zbatojmë rregulloren e Kuvendit për një procedurë të posaçme. Kemi arritur në limitet e kohës dhe ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për konsensus. Por qeveria, me apo pa konsensusin e opozitës, ne do ta arrijmë ta miratojmë këtë ligj.

Zonjë, në Parlamentin e parë shqiptar më 1921 dhe më pas, ne kishim deputetë disa nga korifenjtë e mendimit shqiptar, si Fan Noli, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Eqrem bej Vlora, Ali Këlcyra etj. Kur do kemi në parlament deputetë të këtij kalibri?

Prandaj e kemi thënë se reforma në arsim është nga më të rëndësishmet, sepse arsimimi i popullit është ai që sjell figura të mëdha.

Në atë kohë, zonjë, nuk kishte as shkollë të mesme në Shqipëri dhe këta që unë përmenda kishin studiuar jashtë vendit.

Megjithatë, gjithçka lidhej me arsimin.

A keni gjetur ju konsensusin me opozitën, që kjo të jetë një luftë frontale për dekriminalizimin e Kuvendit?

Ne kemi bërë një bisedë të parë me opozitën dhe me ata që janë angazhuar drejtpërdrejtë me këtë çështje. Do kemi një ballafaqim të hapur të qëndrimeve të secilit. Por gjërat që ne nuk do t’i kishim të negociueshme kanë të bëjnë me atë që njihet si prezumim i pafajësisë.

Zonja ministre, dita e enjte është kthyer në një propagandë politike përpara ekranit nga foltorja e Kuvendit. Si mundet të ndryshohet kjo, sepse nëse nuk ka kamera, ndryshe do të ishte situata…?

Kur ne ishim në opozitë, kryetari i grupit parlamentar nuk kishte gjasa të fliste ndonjëherë sa ish-kryeministri Berisha. Ndërkohë që jo vetëm që kryetari i Kuvendit u jep fjalën përfaqësuesve të PD-së dhe kushdo që e merr fjalën prej tyre e kalon në kohë edhe Kryeministrin e vendit. Çdo vit bëjmë një bilanc të kohës që deputetët kanë në Kuvend për fjalën që ata marrin. Nga bilanci që u bë vitin e shkruar, e bëmë edhe ne si ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe ka modele në botë për këtë. Dhe na rezultoi se deputetët e opozitës kanë folur më shumë se ata të mazhorancës. Po i drejtohem opozitës që të fillojë të kuptojë që aty ku njerëzit nuk kanë interes të dëgjojnë përsëritje të gjërave që nuk kanë lidhje fare me rendin e ditës. Për shembull, në seancën e fundit diskutohej për borxhin, një gjë shumë e rëndësishme kjo, por ata që folën nga opozita shumë pak gjëra thanë për aktin normativ. Buxheti është një nga çështjet më të rëndësishme, sepse ka planifikim të ardhurash e harxhimesh.

Zonja ministre, lidhur me operacionin e informalitetit, ju jeni për penalitete juridike, apo edhe për një rrugë të mesme duke ndihmuar biznesin?

Unë jam për të dyja. Unë  konstatoj në lagjen ku jetoj me shitësit e vegjël rreth e rrotull, që shpeshherë më thonë, shumë mirë që po e bëni këtë gjë, sepse këtu në zonën tonë ka që punojnë pa kuponë dhe askujt nuk i vjen mirë të niset nga kjo rrethanë dhe të kenë avantazh duke përdorur rrugë të shkurtra. A ju duket juve normale që një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës, rruga “Myslym Shyri”, shumica e dyqaneve kanë mbyllur qepenat? Ajo është rruga më e shtrenjtë në Tiranë, si ka mundësi, si kanë punuar në këto vite? Kjo do të thotë se kanë punuar në kurriz të ligjit. Nuk duhet të funksionojmë ndryshe nga si funksionohet jashtë shtetit. Nuk çuditemi ne kur blejmë diçka atje dhe shitësja na jep kuponin, ndërsa këtu nuk ndodh kështu.

Zonja ministre, më 10 shtator mbushen dy vjet nga dekretimi i kryeministrit Rama. Si ka punuar qeveria në këto dy vjet? Dhe, a jemi ne shqiptarët më mirë se dy vjet më parë?

Çdo qytetar e thotë nga situata e vet. Unë them se ka një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Ka qenë dita e zgjedhjeve të 21 qershorit. Shqiptarët e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Nëse janë dakord me çfarë ata prisnin nga qeveria shqiptare. Nëse qeveria shqiptare është duke plotësuar pritshmëritë e tyre, apo është në një drejtim krejt të kundërt me atë që u intereson shqiptarëve. Përgjigjja e 21 qershorit ishte shumë  e qartë për të gjithë ne. Shqiptarët janë pro të gjitha atyre reformave që janë anatemuar me reformën e ndërtimeve pa leje; reformës së ndarjes së re territoriale, të reformave në polici, reformave në arsim e të tjera.

Duke qenë se dikur keni qenë prokurore, cili është mendimi juaj për punën që ka bërë dhe po bën Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla?

Më kape ngushtë me këtë pyetje. Sepse unë nuk preferoj të bëj komente të punës për ata që i konsideroj si kolegë. Shpeshherë në Kuvend, me humor apo me dashamirësi, më tërheqin vëmendjen se sa herë që flitet për prokurorinë unë reagoj. Është i natyrshëm ky reagim. Kam qenë disa herë kur Prokurori i Përgjithshëm është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe ka raportuar për punën e institucionit të prokurorisë. Jo vetëm zoti Adriatik Llalla, por edhe kur ka qenë zonja Ina Rama. Unë mbetem dhe jam që duhet ta mbështesim institucionin e prokurorisë. Sepse, nëse ka një institucion që përpiqet sadopak që të bëjë punën e vet është pikërisht ky institucion. Sepse brenda këtij institucioni vazhdon të ketë njerëz që kërkojnë të punojnë, kërkojnë të japin më të mirën e tyre. Kështu, duke u nisur nga ky arsyetim, unë mendoj se prokuroria meriton të mbështetet. Prokuroria ka nevojë të ketë kapacitete të shtuara njerëzore dhe kjo gjë duhet t’i jepet asaj.

Cili është mendimi juaj, që prokuroria duhet të jetë me këtë status, apo në vartësi të qeverisë, si modeli amerikan?

Unë personalisht mendoj për modelin ku jemi pra, sui generis; që nuk është e varur as nga pushteti gjyqësor as nga ekzekutivi.

Po si kontrollohet prokuroria?

Një është nga Kuvendi. Prokurori raporton në Kuvend, megjithëse ka kohë që kjo nuk ka ndodhur. Nuk janë bërë çdo vit raportime. Unë nuk e mbaj mend se kur ka qenë hera e fundit që Prokurori i Përgjithshëm ka raportuar në Kuvend. Nuk e mbaj mend. Gjithsesi, unë mendoj se shumë gjëra duhet të përmirësohen. Nëse do të bëhen rekrutime në staf, ato bëhen mbi bazën e jetëshkrimeve. Por në këtë aspekt, sipas meje duhet të bëhen në bazë të punës konkrete që ata prokurorë bëjnë. Pra, ne duhet ta ruajmë këtë model, por dhe brenda modelit duhen përmirësime. Duhet të ndërhyhet që ta çojmë prokurorinë atje ku duhet.

Një nga kuajt tuaj të betejës qeverisëse ka qenë lufta ndaj korrupsionit. Sipas shifrave që unë disponoj nga arkivi im, nëse krahasohen dy vitet tuaja të para qeverisëse me dy vitet e para të qeverisjes së Berishës, në vitet 2005-2007 ishin arrestuar 140 policë, oficerë policie, shumica e të cilëve për korrupsion. Pra, një shifër që veçon më shumë qeverisjen e Berishës sesa tuajën. Cili është komenti juaj?

Unë mendoj ndryshe.

Nuk është dëshirë e madhe ta shprehim, por nuk quhet luftë ndaj korrupsionit kur arrestohen njerëz për 5 mijë lekë të vjetra, por kur arrestohen zyrtarë të lartë deri dhe ministra për miliona euro.

Lufta ndaj korrupsionit nuk matet me numrin e atyre që arrestohen. Arrestimeve një ditë u ikën buja. Prapë harrohen. Çfarë ndodh me këta njerëz?

Po flisni si prokurori që ankohet ndaj gjykatësit…

Jo. Duhet ta çojmë çështjen atje ku duhet. Reforma në drejtësi është një element shumë i rëndësishëm. Kemi ekspertë që po punojnë aty për paketën antikorrupsion. Fakti që korrupsionin e kemi futur si vepër penale që të gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda, do të thotë shumë.

Roland Qafoku/“Debati në Channel One”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143