Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp gjatë mbrëmjes së sotme, duke denoncuar rrethimin e selisë blu nga ana e forcave të rendit.
Sipas Bashës ky rethim bëhet për të arrestuar ish-të përndjekurit që protestuan sot dhe kishin për qëllim prishjen e një bunkeri në qendër.
Basha e quajti këtë akt si burracakëri nga ana e Ramës dhe tha se nuk ka bunker që e ruan Ramën nëse prek qytetarët.
Kreu i opozites e akuzoi Ramen si te inkriminuar dhe te korruptuar dhe tha se pushtetit te tij i ka ardhur fundi.
Ja deklarata e plote e Bashes:
Nuk ka bunker që e ruan po preku një qytetar
Me një akt të pashembullt, Edi Rama ka urdhëruar policinë që të rrethojë selinë e Partisë Demokratike, pas protestës sot pasdite të një grupi të të përndjekurve dhe një grupi mbështetësish të opozitës e qytetarësh, kundër simbolit komunist që po ndërtohet në hyrje të Ministrisë së Brendshme. Dhjetra policë dhe civilë kanë qendruar dhe vijojnë të qendrojnë për orë të tëra rreth e qark dhe para selisë së Partisë Demokratike, duke pritur për të marrë natën, në errësirë, me dhunë, protestues që janë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.
Jam këtu për të dënuar këtë akt prej burracaku dhe nga një burracak, siç është Edi Rama.
I ka bërë shumë keq llogaritë.
Nuk frikëson dot Edi Rama asnjë demokrat, asnjë qytetar të lirë. Secili nga ne, ish-i përndjekur apo që përndiqet sot nga kjo qeveri, nga ky kryeministër i korruptuar dhe i inkriminuar, ështe më i fortë, më i palëkundur se skalionet e tij të dhunës.
Këto janë grahmat e fundit një regjimi të kalbur, të inkriminuar dhe të korruptuar. Edi Rama mund të urdhërojë policë të rrethojnë godinën e Partisë Demokratike, shtëpinë e madhe të opozitës e qytetarëve, por kurrë nuk do t’ia dalë të shtojë as një orë dhe asnjë ditë të pushtetit të tij, në këtë mënyrë.
Përkundrazi po shpejton fundin e tij të pashmangshëm.
Po ia bëj të ditur se nuk ka bunker që ta ruajë, ta shpëtojë, nëse prek edhe një fije floku të një demokrati, një qytetari të vetëm që proteston në paqe e me dinjitet, për më të shtrenjtat vlera e liri për të cilat kemi sakrifikuar dhe derdhur gjak.