Një pjesë e deputetëve socialistë kanë firmosur amendamentet për ndryshimet kushtetuese, që pritet të bëhen në kontekst të ligjit të dekriminalizimit. LSI nuk ka firmosur nismën me arsyetimin se më parë duhet arritur konsensusi me opozitën
Marrëdhëniet mes dy partive kryesore të koalicionit të majtë, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë marrë një rrjedhë krejt të papritur.
Ndërsa dy liderët e koalicionit të majtë publikisht kanë mohuar çdolloj mosmarrëveshje, duket se mes dy forcave që ata përfaqësojnë nuk ka më qetësi. Kjo pasi së fundmi, Lëvizja Socialiste për Integrim ka refuzuar që të mbështesë nismën e PS-së për dekriminalizimin.
Top Channel raportoi dje se kjo forcë politike nuk ka pranuar t’i bashkojë firmat e saj me draftin e PS-së për ndryshime kushtetuese që vijnë në kuadër të procesit të dekriminalizimit.
Ka qenë vetë kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ai që e ka konfirmuar këtë gjë, i cili tha se ndryshimet kushtetuese, ashtu si edhe ligji i posaçëm i dekriminalizimit duhet të kalojnë në komisionin parlamentar të ngritur për të realizuar këtë proces.
Por ai ka sqaruar se arsyeja e mosfirmosjes së këtij drafti nga deputetët e LSI-së lidhet me domosdoshmërinë e një konsensusi më të gjerë sesa firmat e dy grupeve parlamentare, pra gjithëpërfshirjes.
“Çdo projektligj, përfshi këtu edhe amendamentet për ndryshimet kushtetuese, duhet të kalojnë nga komisioni i posaçëm parlamentar për këtë çështje”, – tha Vasili.
Ai theksoi më tej se “çdo nismë duhet të gjejë konsensusin e të gjitha palëve, e pastaj të avancojmë përpara”.
Por duket se këto kundërshti kanë detyruar dy partitë kryesore të koalicionit që të zhvillojnë edhe negociata për të gjetur një zgjidhje për këtë ngërç.
Burime nga mazhoranca kanë bërë me dije se të hënën, për këtë qëllim është zhvilluar një takim me praninë e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi si përfaqësues i PS-së dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Të njëjtat burime kanë konfirmuar se në këtë takim palët kanë qenë dakord për përmbajtjen e nismës, por kanë pasur dallime sa i përket mënyrës sesi do procedohet në votimin e tyre.
Kështu mësohet se palët në mungesë të gjetjes së një konsensusi për çështjen e firmave, kanë rënë dakord që më parë të synohet gjetja e një konsensusi me opozitën për draftin që ajo ka paraqitur dhe për të zgjidhur më pas me negociata çështje për të cilat ndahen dy draftet.
Por lidhur me këtë debat ka reaguar dje në mbrëmje edhe LSI, e cila nuk ka mohuar mosfirmosjen e projektligjit të paraqitur nga PS, por ka theksuar se mbështet një zgjidhje të shpejtë të çështjes së dekriminalizimit.
“LSI mbështet plotësisht një zgjidhje sa më të shpejtë të procesit të dekriminalizimit dhe do të japë kontributin e saj për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje e për të ecur më tej me reformën në drejtësi dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”, – thuhet në këtë reagim të Petrit Vasilit.
Ndërkohë që nga palët mësohet se gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar negociatat me përfaqësues të opozitës, me qëllim rënien dakord mbi një draft të përbashkët për ndryshimet kushtetuese.
Sipas burimeve nga të dyja kampet, lidhur me këtë çështje po negociojnë Ermonela Felaj në emër të qeverisë dhe Oerd Bylykbashi në emër të opozitës.
Projektligji i propozuar nga PS për ndryshimet kushtetuese, që nuk firmoset nga LSI
Neni 1
Në fund të pikës 1 të nenit 45,shtohet :
- Përjashtimet nga e drejta për t’u zgjedhur, përcaktohen me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 2
Në nenin 71 shtohet pika 3 si më poshtë;
- Ushtrimi i mandatit të deputetit ndërpritet në rastet e përcaktuara me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 3
Në fund të pikës 1 të nenit 96, shtohet;
- Kryeministër nuk mund të emërohet një shtetas që është i përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 4
Pas pikës 3 të nenit 107, shtohet pika 4 me përmbajtje si më poshtë vijon:
- Nëpunës publik nuk mund të emërohet një shtetas që është i përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 5
Në fund të pikës 3 të nenit 109, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
- Këtë të drejtë nuk e gëzojnë shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 6
Në fund të pikës 2 të nenit 125, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
- Nuk mund të emërohen si gjyqtarë, shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 7
Në nenin 131, gërma “e” ndryshohet si më poshtë :
- e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, si dhe me verifikimin e legjitimitetit të personave që ushtrojnë, zgjidhen apo emërohen në funksione publike.
Neni 8
Pas pikës 5 të nenit 136, shtohet pika 6 me përmbajtje si më poshtë:
- Gjyqtarë nuk mund të jenë shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për të ushtruar një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 9
Pas pikës 4 të nenit 149, shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
- Prokuror i Përgjithshëm apo prokuror, nuk mund të emërohet shtetasi që është përjashtuar nga e drejta për të ushtruar një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 10
Neni 167 pika 1 ndryshohet si vijon;
- Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore, të marrin pjesë në parti ose veprimtari politike, apo kur janë përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur ose emëruar në një funksion publik sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi 15 pas botimit në Fletoren Zyrtare.