Ashtu si çdo herë tjetër, edhe këtë herë Kuvendi ka pasur një shkëmbim batutash.
Seanca nisi me disa debate për ligjin mbi forcat e armatosura.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka quajtur te turpshme ndryshimet në ligj.
“Ishte kërkesa më minimale etike, që zonja të kërkonte ndjesë publike për ndryshimet antikushtetuse që i bëri ligjit, vetëm që Edvini të bëhej sulltan, të merrte dhe funksionet kushtetuese të komandantit të përgjithshëm që i ka kryetari i shtetit”, tha Berisha pas fjalës së mbajtur nga ministrja Mimi Kodheli.
Në këtë moment mbërriti Edi Rama në sallë dhe kjo nuk mund t’i shpëtonte Berishës.
Berisha: Lëre tani mos komuniko me të, se tani kujtohet të vijë në Parlament. Mos na ndërprit fjalën. Si duket sot, si qeveria e Gates, të gjithe Gate, po Gatja burrë më i mirë se ju…, pra ky ligj u miratua nga mazhoranca socialiste, asnjeri s’e lëvizi.
(Ndërhyn Bashkim Fino nga vendi)
Rama: Bashkim mos u…, e ke zgjidhë në ‘97 këtë punë, kur të qante atje në prehër.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD –së, Arben Ristani, e quajti arrogante sjelljen e kryeministrit Rama në parlament.
Ai e akuzoi Ramën për faktin se injoron të dëgjojë shqetësimet e opozitës dhe përdori një shprehje që Ilir Meta ka përdorur dikur kundër tij.
“Kjo fundërrinë e pashembullt e shoqërisë shqiptare, sipas Ilir Metës…”, tha Ristani duke iu referuar Ramës.
Por kjo thënie e Metës shkaktoi reagime të deptuetëve të PS në sallë dhe të vetë drejtueses së seancës, nënkryetares Valentina Leskaj, e cila e quajti gjuhë të papranueshme.