Konstitucionalisti Luan Omari, kërkon që reforma në drejtësi të rishohë mënyrën sesi zgjidhet presidenti i vendit.
Ndryshimet kushtetuese të 2008-s që mundësuan zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë, deklaroi ai, vërtetuan se ai humbi misionin e përfaqësimit të unitetit kombëtar, sikundër ka shkaktuar debatin e shpeshtë për kompetencat e kreut të shtetit në raport me institucionet e tjera.
“Për t’i hapur rrugë rrugëzgjidhjes së Presidentit të ri, që të gëzonte besimin e të gjithë forcave politike në Parlament, do të ishte e udhës të rivendoseshin zgjedhje të lira me shumicë të cilësuar, duke kushtëzuar mosrealizimin e saj me shpërndarjen e Kuvendit.
Mund të shqyrtohej dhe mundësia e zgjedhjes nga një asamble e posaçme, e përbërë jo nga deputetë po nga të deleguar të këshillave të qarqeve”,- tha konstitucionalisti Luan Omari.
Në aktivitetin e Akademisë së Shkencave në kuadër të diskutimit të reformës në drejtësi, Njazi Jaho propozoi që prokuroria të mbetet një organ i pavarur, por këshilli i prokurorëve tha ai duhet të kthehet në një organ kushtetues.
“Një lartësim i këtij këshilli mendoj se do t’i shërbente edhe reduktimit apo zbutjes, centralizmit të tepruar që ekziston sot në organet e prokurorisë, sidomos tek Prokurori i Përgjithshëm”,- u shpreh Njazi Jaho./Top Channel/