Në ditën e fundit të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u takua me Zv.presidentin e Bankës Botërore për Evropën Qëndrore dhe Azinë, Cyril Muller dhe me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për Rajonin, Patrizo Pagano.
Pagano dhe Meta folën për gjendjen e kredive të këqija në Shqipëri dhe masat që po ndërmerr Qeveria për të ulur efektin e tyre negativ në ekonomi.
Meta foli edhe për raportin për të fundit të Bankës Botërore për lehtësirat e të bërit biznes, ku Shqipëria ka humbur 29 vende në krahasim me një vit më parë. Kryeparlamentari deklaroi se Qeveria do të marrë masa për t’i dhënë zgjidhje problemeve të evidentuara në raport.
Kurse me Zv.presidentin e Bankës Botërore, Meta diskutoi për ecurinë e projekteve në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, në transport, energji e fusha të tjera.