Kryetarët e Bashkive të djathta dhe këshilltarët e Partisë Demokratike kanë dorëzuar pranë Këshillave Bashkiakë në mbarë vendin një kërkesë, për uljen me 30% të taksës së pronës.
Disa ditë më parë, kryetari i PD, Lulzim Basha, lëshoi një apel publik për të gjitha bashkitë që ta ulnin taksën. I pari që iu përgjigj këtij apeli ishte Vangjush Dako në Durrës, ndonëse ai tha se, ky ishte një premtim elektoral i bërë prej tij.
Sipas PD-së, taksa mbi pronën u rrit deri katërfish në dy vitet e fundit duke rënduar barrën e taksave që paguajnë veçanërisht bizneset e vogla, të cilat ndodhen në kushtet e mbijetesës.
PD pretendon se ulja me 30% e taksës do të ndikojë direkt në buxhetin e bizneseve dhe familjeve të tyre. Basha ka premtuar se, me ardhjen në pushtet, taksa mbi pronën do të shkojë në nivelet që ka qënë para vitit 2007.