Edhe ish-deputeti socialist, Marko Bello e akuzon kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po pakëson demokracinë e partisë.
Ndërsa mbështet pretendimet e Blushit se duhet të bëhen zgjedhjet për kryetar të PS-së, Bello ka komentuar edhe zhvillimet e ditëve të fundit në PS në rrjetin social Facebook, ku shkruan se kryesocialisti Edi Rama po drejton me arrogancë.
“Disa argumentojnë se në një parti ku njëshi ‘bën ligjin’, nuk ka rëndësi zgjedhja e tij, por zgjedhja e kryetarëve të organizatave të partisë!!! Dhe habitemi pastaj se përse bëhen kaq arrogantë dhe të gjithëpushtetshëm liderët e partive politike”, shkruajti ai dje në Facebook.
Ai nuk nguron t’iu kundërvihet edhe atyre zërave në PS që kritikojnë Blushin në këtë debat duke dalë në krah të Ramës. Sipas tij, kjo i jep Ramës mundësinë që të bëjë ç’të dojë me partinë.
“Këta kujtojnë se kështu i vijnë pas avazit kryetarit. Një kryetar partie që është edhe kryeministër nuk ka frikë nga zgjedhja, pasi shanset për fitore i ka të mëdha. Në rastin tonë, kryetari nuk dëshiron të ketë zgjedhje se thjesht nuk do, ose përton. Unë mund të bëj ç’të dua, thotë. Përse të mos anuloj edhe zgjedhjet për kryetarin? Dhe ka të drejtë. Mund të bëjë çfarë t’i dojë kokrra e qejfit”, – shprehej Bello në këtë koment.
Sipas tij, sot Rama, 10 vjet pas marrjes së drejtimit të partisë, ka kaluar “nga i pari ndër të barabartët, kryetari është i pari përmbi të pabarabartët”.
“Ai nuk pranon më të votohet nga anëtarësia e partisë, duke deklaruar se “modeli i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe që paska marrë si model, nuk e praktikon votimin për kryetar partie në rastet kur partia fiton zgjedhjet dhe merr pushtetin. Kohë tjetër, zakone të tjera”, – shkruante Bello.