Deputeti më i ri i Kuvendit, Eduard Ndocaj ka mbajtur sot fjalimin e tij të parë me lapsuse dhe emocione. Ndocaj kritikoi që në fillim të fjalës së tij debatin e gjatë mes mazhorancës dhe opozitës duke thënë se kjo gjë nuk i shërben problemeve të qytetarëve. Deputeti i Qarkut të Lezhës gjithashtu u bëri thirrje partive që të arrijnë kompromis për çështje kombëtare.
Ndocaj edhe pse i qëndroi strikt asaj që kishte të shkruar në letër, pasi nuk e ngriti kokën asnjëherë, nuk i shpëtuan disa gabime gjuhësore duke iu drejtuar kolegëve me “kulegë”.
“Kemi shtatë orë që flasim dhe luajmë ping-pong me fjalë të bukura por që nuk ka asnjë ndikim tek shqiptarët. Sot është dita ime e parë që flas nga kjo foltore, e konsideroj një mision të rëndësishëm dhe serioz marrjen e mandatit. Shqipëria është përballë sfidave mjaft të rëndësishme. Nevojitet arritje kompromisesh përballë çështjeve që na takojnë të gjithëve. Nëse ne bëjmë mirë sot do të ndihemi mirë mot”, u shpreh Ndocaj.
Deputeti më i ri pavarësisht se është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai kritikoi masat e ashpra ndaj biznesit në kuadër të luftës ndaj informalitetit.
“Biznesi ka nevojë për frymëmarrje jo për gjoba të kripura nëse bëjnë një gabim. Kam 20 vjet që bëj biznes në Itali dhe po të ishte për burg për gabimet që bëj, gjysmën e biznesit do ta kisha kaluar në burg. Nëse nuk krijojmë vende pune dhe që shqiptarët të jetojnë më mirë ne kemi dështuar në misionin tonë për zhvillim ekonomik”, tha ai.
Ndocaj gjithashtu kërkoi nga deputetët që të miratohet ligji për të drejtën e votës për emigrantët në zgjedhjet e vitit 2017.
“Emigrantët kanë të drejtë të votojnë. Hajde të gjithë së bashku ta bëjmë këtë ligj apo siç thoni ju ta bëjmë të mundur që në 2017 të votojnë. Është e papranueshme që 60% e popullsisë të lihet jashtë votimit”, deklaroi Ndocaj.
Në fund, Ndocaj nuk abuzoi me minutazhin e tij siç bëjnë shumë deputetë por edhe frazën e la pa përfunduar: “Faleminderit dhe…” (dhe largohet nga foltorja).