Tre helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, alarmuan mbrëmjen e së premtës Gardën e Republikës, efektivët e të cilës po ruanin vilën e Kryeministrit në fshatin Surrel të kryeqytetit.
Garda e Republikës ka instaluar mbi vilën e Kryeministrit disa sensorë që dallojnë objektet në ajër, të njejtat sensorë që janë vendosur edhe në institucionet e rëndësisë së veçantë.
Pas alarmit të ndezur nga këto sensorë, efektivët e Gardës së Republikës që po ruanin vilën e Kryeministrit në Surrel, kanë pikasur disa drita të kuqe sipër shtëpisë së Kryeministrit dhe një zhurmë që nuk ngjante si helika helikopteri.
Ata kanë njoftuar eprorët, duke dyshuar për disa dron që fluturonin në distancë sipër vilës së Kryeministrit. Të ndodhur në këto kushte, Garda ka përforcuar shërbimin duke njoftuar edhe efektivët e Komisariatit të 4, pasi dyshohehej se mjetet fluturuese po vazhdojnë fluturimin sipër vilës së Kryeministrit.
Burimet thonë se pikërisht në kohën kur po tentohej të qëllohej me armë drejt këtyre objekteve fluturuese, policia ka marrë lajmin se janë helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjës, të cilët ishin ngritur natën për stërvitje.
Sipas Mbrojtjes, pilotët e repartit të helikopterëve në Zall Her, me ndihmën e pilotëve francezë kanë kryer mbrëmjen e së premtes disa fluturime me 3 helikopterët e rinj. Sipas Ministrisë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi stërvitja është kryer për fluturimet natën, për të mësuar pilotët shqiptar në udhëtime në errësirë.
Por, siç duket mos njoftimi i institucioneve policore dhe Gardës së Republikës, ka alarmuar këta të fundit që kishin pikasur dritat dhe zhurmat e tyre mbi Lanabregas dhe pranë fshatit Surrel, pikërisht në zonën ku ndodhet shtëpia e Kryemistrit Edi Rama./Tv Klan/