Të majtë e të djathtë kanë vijuar traditën tashmë të konsoliduar për ta përkujtuar veç e veç dhe në forma të ndryshme, 17 nëntorin, që zyrtarisht është dita e çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazistë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, e kujtuan këtë ditë pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur në kryeqytet, duke lartësuar kontributin e dhënë nga forcat partizane për çlirimin e vendit.
Veliaj madje propozoi nismën: “Ta kthejmë Tiranën kuqezi!”.
Ai tha se “Tirana nderoi sot me respekt e dinjitet të rënët e saj për çlirimin e qytetit,17 Nëntor, 1944”.
Veliaj bëri thirrje që “Këto ditë festash kujtoni gjyshërit tuaj, vendosni në dritare flamurin kombëtar.”
Por nuk ka qenë e këtij mendimi deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Ajo së bashku me eksponetë të tjerë të djathtë, u mblodhën përpara monumentit të viktimave të komunizmit dhe në faqen e saj në Facebook shkruante: “Duke reflektuar 17 nëntorin si një çlirim nga e keqja duke menduar se shpëtuam prej saj, pa kuptuar që ajo errësirë e nazizmit u pasua nga një errësirë që zgjati më shumë dhe pati efekte më të mëdha në shoqërinë tonë, rrezikojmë ta shndërrojmë shoqërinë në një masë pa bërthamë dhe pa të djeshme.
Datat e këtyre përkujtimoreve nuk duhet të ngrihen mbi një mesknitet, pashpirtshmëri dhe vulgaritet në shërbim të një vote duke përkujtuar kështu ata që ushtruan terror ndaj qytetarëve të këtij vendi”.
Tabaku publikoi një listë të gjatë me emra të vrarësh ditën e çlirimit të Tiranës, duke i kosnideruar ata si civilë të ekzekutuar nga komunistët.
Në njërën foto Tabaku shkruan: “Civile te vrare nga forcat partizane ne Rrugen Musolini ne Tirane (sot Rruga e Kavajes) 17 Nentor 1944”.
Tabaku ka postuar emrat e mëposhtëm të viktimave të asaj dite: Akil Sakiqi, Nazmi Uruci, Fahri Dabulla, Mumtaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraci, Jorgji Mema, Nebil Cika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeci, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toci, Selim Kelmendi, Selaudin Korca, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tershana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha.
Tekste të ndryshme shkencore dhe historiografia zyrtare e popullit shqiptar nuk e njeh si një masakër mbi popullsinë civile vrasjen e personave të lartpërmendur dhe mbi ekzekutimet e tyre ka debat ndërmjet palëve të ndryshme politike nëse ishin kolaboracionistë e kuislingë, apo civilë të pafajshëm.