Dikur partia e tij PSD ka qenë forca e dytë e majtë në koalicionin me PS-në, por që kur u arrit marrëveshja mes Ramës dhe Metës, Skënder Gjinushi ka shfaqur shpesh pakënaqësitë dhe rivalitettin e tij politik me aleatin kryesor të Ramës.
Në një intervistë për portalin Syri.net, Gjinushi thotë se e majta “Ka humbur 140 mijë vota në mënyrë absolute, me abstenim dhe me mospjsmarrje. Pra janë 140 mijë dhe po të shohësh ka një shpërndarje tepër interesante, në veri nuk ka lëvizur fare, pra raporti është njëlloj. Kur them veri është Kukësi, Dibra, Lezha, pra lëvizja është shumë e vogël, bile pak në favor të së majtës. Shkodra ka një 10 mijëshe që ka ikur nga e majta në të djathtë në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme”.
Sipas Gjinushit: “Pastaj nga Tirana e poshtë fillon firoja, përveç Elbasanit dhe çuditërisht Durrësi ka të djathtë të cilët kanë vajtur majtas, pra Durrësi ka një rrijte në raport me zgjedhjet e përgjithshme. Prandaj gjithë të tjerat bashkë me Korçën të gjitha kanë firo, veçanërisht Fieri, që është mbi 20 mijë vota minus, dhe firoja është pa rritje të së djathtës”.
Ish-kryetari i Parlamentit thekson se “Kjo tregon edhe mosbesimin tek opozita e cila nuk ka vota plus edhe në moment firoje. Pra një pjesë e të majtës nuk e ka ndier veten të përfaqësuar dhe këtu është ai pragmatizmi. Atëherë PSD-ja ka të drejtën morale që të bëhet përfaqësuese e kësaj pjese. Besoj se qëndrimet tona ose më saktë vërejtjet që kemi ne ndaj qeverisë përputhen me pakënaqësitë.”