Disa media kanë shtruar hipotezën sot se thyerja e karriges së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në Kuvend mund të mos ketë qenë një rastësi.
Portali Syri.net pretendon se një gjë e tillë është thuajse e pamundur që të ndodhë pa u ditur nga stafi i Kuvendit, që sipas Syrit kontrollon me imtësi çdo gjë në sallë përpara fillimit të seancave plenare.
Sado që mund të mbetemi në suazën e dyshimit, një mesazh i mëvonshëm i këshilltarit të Ilir Meteës për mediat, Emiljano Aleksi, në Facebook, i shton edhe më tepër hamendësimet për një mundësi të tillë.
“Kush bazohet në forcën, bie për tokë po sa të thyhet forca, por ai që bazohet në drejtësinë, është i mbështetur në një godinë të fortë që nuk shembet kurrë…!”, shkruante Aleksi.
Sikurse dihet, Ilir Meta nuk ka profil në Facebook, kështu që, komunikimet në emër të tij, shpeshherë i besohen Aleksit.
Edhe pse ky i fundit nuk e ka cituar Metën në këtë rast, gjithsesi nuk përjashtohet që teksti në fjalë të jetë një mesazh i kriptuar i Metës për Ramën, kur mosmarrëveshjet për reformën në drejtësi po bëhen gjithnjë e më të forta.