Ish-deputeti socialist, Andis Harasani, pavarësisht se është larguar nga politika aktive është një ndjekës i vëmendshëm i saj.
Kështu, atij nuk i ka kaluar pa vënë re edhe botimi më i fundit i ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi “Pluralizmi i dytë”, ku ndërmjet të tjerave flitet edhe për situatën në të cilën u gjend PS-ja pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2013, dhe në mënyrë konkrete për përplasjen Edi Rama-Ben Blushi.
Duke iu referuar pikërisht kësaj pjese ku përshkruhen ngjarjet e brendshme të PS-së në vitit 2013, Harasani duket se nuk pajtohet me konstatimet e Pëllumbit, pasi në një status të tijin në twitter dhe facebook, ai nuk nguron ta sulmojë hapur autorin e këtij libri si profesor të marksizmit, duke pasur parasysh mënyrën sesi i thërrasin shumë socialistë Servet Pëllumbit.
Jo vetëm kaq, por Harasani në këtë koment shkon edhe më tej, duke akuzuar Pëllumbin se gjatë gjithë zhvillimeve të viteve të fundit në PS është udhëhequr gjithmonë nga interesi i njerëzve dhe familjarëve të tij për t’i përfshirë në ndarjen e tortës së pushtetit të PS-së. “
Profesori i marksizmit ka pasur veç hall të fusë njerëzit e vet. Si të gjithë”, – shprehet Harasani në komentin e tij.
Në librin e tij, Servet Pëllumbi thotë se pas zgjedhjeve të 21 qershorit, Ben Blushi ka pasur kërkesa ultimative ndaj Ramës për zgjedhjen e kreut të PS-së, ndaj sipas tij, pritej një ndarje e re e PS-së.
Por, ai thotë se Blushi nuk i shkoi deri në fund përplasjes, duke evituar dhe përçarjen.
“Sipas Blushit, fituesi në popull qenka humbës në parti dhe, prandaj Edi Rama i dredhon demokracisë në parti, duke shkelur rëndë statutin. Realisht pritej përplasje midis ‘palëve’ që reduktohej me ‘përplasjen Rama-Blushi’, pra midis “autoritaristëve” (grupi Rama) dhe ‘demokratikëve’ (grupi ende i pashpallur i Blushit). Ky ishte drejtimi që mori fillimisht mbledhja e Asamblesë dhe pritej nga disa në PS, e sidomos jashtë saj, deri dhe një ndarje e re në PS. Në të vërtetë, një mundësi e tillë u evitua dhe përmes debateve, ku në fund u arrit që të miratoheshin me unanimitet të shtatë projektvendimet e paraqitura për reformimin e partisë dhe kapërcimin e ngërçit të krijuar në lidhje me demokracinë e brendshme në PS”, – shkruan Pëllumbi në librin e tij.
Kujtojmë se Harasani fillimisht ka qenë pjesë e së ashtuquajturës Lëvizje për Mendim Ndryshe të drejtuar nga deputeti Ben Blushi, por më pas ai do të kishte pakënaqësi ndaj Blushit, për shkak të ndryshimit të kursit të kësaj lëvizjeje karshi mënyrës së drejtimit të PS-së nga Edi Rama.