Në këtë foto shihet ish-kryeministri Fatos Nano me disa persona të fesë islame. Por ajo që krijon përshtypje është se një ndër ta është një teolog islamik i njohur për mbështetjen ndaj Bin Ladenit pas sulmeve në SHBA.
Emri i tij është Zakir Naik. Kemi të bëjmë me një “peshk të madh” përsa i përket islamit radikal me ngjyrim vahabist.
Zotëria në fjalë në Pogradec është prezantuar si bamirës. Por ai njihet gjerësisht si predikues, dijetar, teolog i fesë islame, specialist për marrëdhëniet me publikun për problemet e islamit etj.
Sipas autobiografisë së tij në internet, z.Naik ka marrë disa çmime si Personalitet Islamik për vitin 2013 i dhënë në Dubai, çmimin Ma’al Hijrah, i marrë në Malajzi në nëntor 2013 dhe Çmimin Ndërkombëtar të Mbreti Fajzal në shkurt 2015.
Duke u nisur nga këto çmime ardhja në Shqipëri e këtij dijetari mysliman mund të duket sikur i bën nder atdheut tim, por z. Zakir Naik është njëkohësisht një person shumë problematik, raporton Dita.
Në predikimet e tij ka pikëpamje dhe deklarata, që përmbushin kushtet e konsiderimit vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Zakir është shprehur publikisht me gojë dhe me shkrim (në Revistën Islamic Voice), që meqenëse Bin Ladeni po lufton armiqtë e islamit unë jam me të (Bin Ladenin)./Lajm/