Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratave të Sali Berishës se ligji i veteranit nuk ka aspak lidhje me dekorimet.
“Rama shkoi në Shkodër si krimineli në vendin e krimit, pasi Shkodra ka qenë një nga armiqtë kryesorë të Enver Hoxhës, bashkë me kosovarët dhe grekët. Ishte një përçartje jo e denjë për një njeri normal dhe të qytetëruar. Me një ligjëratë të gjatë më fajësoi mua. Dua të sqaroj se statusi i veteranit njeh pjesëmarrjen në luftë të një grupi të gjerë personash, por ky ligj nuk jep dekorata”, theksoi Berisha.
“Ja prova se në vitet 1994 – 1995, Sali Berisha e futi torturuesin e At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit në listën e veteranëve të Kategorisë së Parë. Në bazë të kësaj liste torturuesi në fjalë, të cilin kryeakuzatori kryefalsifikator orvatet ta përdorë për të nxitur urrejtjen e të verbërve që i shkojnë ende pas, ka gëzuar prej marsit të vitit 1995 një pension të veçantë dhe çdo nderim të bërë nga Ministria e Mbrojtjes. E cila, nga ana e vet, nuk ka pasur asnjëherë detyrën të hetojë përbërjen e kësaj liste, ashtu sikundër nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të shtuar ose hequr njeri prej listës. Kjo është edhe arsyeja pse qeveria po përgatit një ndërhyrje në Ligjin e vitit 1994 për Statusin e Veteranit, në mënyrë që askush më tej të mos bjerë viktimë e këtij qorrsokaku, të ndërtuar nën kujdesin e veçantë të Sali Berishës si President i Republikës së Shqipërisë,” shkruan Rama në FB.