Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Fotot e Nishanit: Turist i thjeshtë te ‘Rana e Hedhun’

$
0
0

Me një shkresë zyrtare, Drejtoria e Shërbimeve i është drejtuar kabinetit të Presidentit të Republikës se as në rezidencën qeveritare të Vlorës dhe as në atë të Dhërmiut, kreu i shtetit nuk mund të shkojë, pasi këto dy rezidenca janë prenotuar për gjithë sezonin veror nga kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Meta

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është larguar Tiranës së nxehtë për të kaluar disa ditë pushimi me familjen e tij jashtë kryeqytetit. Por ndryshe nga vitet e tjera, Nishani nuk ka pushuar në ndonjë prej rezidencave qeveritare. Tv Klan raportoi dje përmes një kronike të zgjeruar (përcjellë edhe me pamje) se Nishani po pushon në një hotel të vogël familjar pranë zonës së njohur si Rana e Hedhun, vetëm pak kilometra larg me makinë nga Shëngjini.

I veshur me bluzë sportive dhe shumë larg pamjes zyrtare, Nishani ka zhvilluar takime edhe me pushues të shumtë që ndodheshin në këtë zonë pushimi. TV Klan sqaroi se, edhe pse Shëngjini dhe hoteli modest te Rana e Hedhun ishte zgjedhje e vetë Presidentit të Republikës dhe zonjës së tij, ky televizion ka mësuar se nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare kreut të shtetit i është refuzuar mundësia për të qëndruar në rezidencat qeveritare.

Me një shkresë zyrtare, kjo drejtori i është drejtuar kabinetit të Presidentit të Republikës, duke i bërë të ditur se as në rezidencën qeveritare të Vlorës dhe as në atë të Dhërmiut, kreu i shtetit nuk mund të shkojë, pasi këto dy rezidenca janë prenotuar për gjithë sezonin veror nga kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Meta.

Duhet thënë se Presidentit i është lejuar prej vitesh që të qëndrojë në rezidencat shtetërore, një detyrim ky edhe për shkaqe sigurie.

Vetë presidenti Nishani nuk ka dashur ta komentojë këtë vendim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, ndërkohë që po i kalon ditët bashkë me familjen e tij në një zonë të frekuentuar nga shumë pushues. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka si detyrë trajtimin e personaliteteve si Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit. Pjesë e këtyre detyrimeve është edhe trajtimi ushqimor dhe caktimi i kuzhinierëve të tre personaliteteve të larta.

Kjo drejtori, gjithashtu ka në varësi të gjitha vilat dhe godinat qeveritare, duke filluar që nga Pallati i Brigadave, Pallati i Kongreseve, vilat e tjera pushuese në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe familjet e tyre trajtohen sipas përkatësisë nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, institucionet përkatëse dhe Klinika Qeveritare për kushtet jetësore të banimit, pushimit, furnizimit me artikuj ushqimorë e industrialë, shërbimit mjekësor dhe personel shërbimi etj., si në rastin kur banojnë në rezidenca qeveritare, ashtu dhe kur ata banojnë në apartamentet e tyre.

Rreth dy muaj më parë, qeveria miratoi disa ndryshime në vendimin për drejtorinë e shërbimeve qeveritare dhe trajtimin e personaliteteve të larta, duke vendosur një shtesë buxheti në favor të kësaj drejtorie. Sipas vendimit të ndryshuar, kjo drejtori ishte e detyruar që t’u vinte në dispozicion mjedise pune edhe ish-presidentëve, pa pagesë.

Ajo është e detyruar që të mbulojë shpenzimet për shërbime sekretarie, pastrimi dhe mirëmbajtjeje mjedisi, shpenzimet për energji elektrike, ujë, telefoni fikse (përfshirë dhe internet) brenda  shumës prej 15 milionë lekësh të reja.

E ndërsa Këshilli i Ministrave ka menduar që të respektojë edhe pasardhësit në detyrën më të lartë të shtetit, duket se nuk ka ndjekur këtë rrugë me presidentin aktual Bujar Nishani, me të cilin jo pak herë nga ana e qeverisë ka pasur fërkime dhe konflikte të vazhdueshme.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143