Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin, me anë të të cilit rrëzon si antikushtetues vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për trafikun e drogës
Mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë ka mohuar në mënyrë të padrejtë të drejtën e opozitës për të hetuar fenomenin e trafikut të drogës nëpërmjet përdorimit të infrastrukturës ushtarake gati një vit më parë. Në këtë përfundim ka arritur Gjykata Kushtetuese pasi ka shqyrtuar për disa muaj me radhë kërkesën e Partisë Demokratike, me anë të së cilës ajo kundërshtonte vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mos ngritur një komision të tillë hetimor.
Në 16 faqe argumentim, Gjykata ndërsa ka vlerësuar si legjitime të drejtën e deputetëve për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim, dhe ka vlerësuar si të garantuar të drejtën e ¼ për të kërkuar komisione hetimore, trupa e gjyqtarëve kushtetues është ndalur gjatë te analizimi i kësaj të drejte me çështjen konkrete.
Argumentimi
Kështu, sa i përket argumenteve të shumicës parlamentare kundër ngritjes së Komisionit Hetimor, gjykata vlerëson se arsyetimi i Kuvendit është tepër i përgjithshëm dhe nuk jep shkaqet për të cilat është vendosur rrëzimi i kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor.
Më tej ajo thekson se, edhe kur shumica parlamentare pretendon se cenohen standardet dhe parimet kushtetuese në objektin e hetimit, ajo është e detyruar të propozojë formulime alternative duke i dhënë mundësinë pakicës të riformulojë kërkesën e saj.
“Në rastin në shqyrtim debati nuk ka pasur si orientim kryesor mbrojtjen e të drejtës kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, por mohimin e saj”, – thuhet në vendim.
Nga ana tjetër, nga analiza e kërkesës së pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor dhe nga mënyra e përcaktimit të objektit të saj, Gjykata vëren se ky i fundit është specifikuar në mënyrë të tillë që nuk lë vend për paqartësi apo dykuptimësi.
Edhe për sa i përket qëllimit të ngritjes së Komisionit Hetimor, Gjykata vlerëson se objekti përputhet me kompetencat kushtetuese të Kuvendit, pra me të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga ana e Forcave të Armatosura.
Po në këtë aspekt, objekti nuk përmban pasaktësi apo paqartësi të dukshme në mënyrën e formulimit të tij pasi shpjegohet harku kohor i hetimit, si dhe faktet që duhet të hetohen.
Nisur nga qëllimi dhe objekti i Komisionit Hetimor të kërkuar, Gjykata vëren se nuk kemi të bëjmë me ndonjë përpjekje të pakicës që parlamenti të përvetësojë kompetencën e prokurorisë për të ndjekur vetë penalisht apo për të kryer vetë hetime për çështjen konkrete.
Po ashtu, Gjykata konstaton se qëllimi i Komisionit nuk ka qenë hetimi mbi çështjet për të cilat ka filluar procedimi penal, por ajo që kërkohet të hetohet është çështja se sa efikase dhe të përgjegjshme kanë qenë institucionet shtetërore në kryerjen e detyrës së tyre në funksion të parandalimit të fenomenit të trafikut të lëndëve narkotike.
Për rrjedhojë, Gjykata çmon se, përderisa pushteti i pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të vihet në dyshim, fakti se një çështje e ngjashme po hetohet nga prokuroria, nuk krijon pengesë apriori në ngritjen e tij.
Në këtë kuptim, Gjykata vazhdon vendimin e saj se argumenti i përdorur nga Kuvendi për mosmiratimin e kërkesës së pakicës parlamentare për ngritjen e Komisionit Hetimor në fjalë, pra se për të njëjtën ngjarje po kryhen hetime nga ana e organit të prokurorisë, është i pabazuar.
Bazuar në të gjitha argumentet e mësipërme, lidhur me të drejtën e pakicës parlamentare për të iniciuar një kontroll parlamentar, Gjykata rithekson se ngritja e komisionit hetimor parlamentar, kur kërkohet nga pakica parlamentare, është e detyrueshme. E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të vihet në diskutim.
Vendimi
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës, bazuar edhe në jurisprudencën e saj, Gjykata vlerëson se e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor në rastin konkret është mohuar nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare.
Për arsyet e mësipërme, Gjykata vlerëson se kërkesa e pakicës parlamentare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit është e bazuar.
Ndaj vendosi pranimin e kërkesës, zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.36/2014, datë 22.05.2014 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e fakteve dhe të rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët”.
Argumentet e gjykatës
-Edhe kur shumica parlamentare pretendon se cenohen standardet dhe parimet kushtetuese në objektin e hetimit, ajo është e detyruar të propozojë formulime alternative duke i dhënë mundësinë pakicës të riformulojë kërkesën e saj. Në rastin në shqyrtim, debati nuk ka pasur si orientim kryesor mbrojtjen e të drejtës kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, por mohimin e saj.
-Në lidhje me përmbajtjen e vendimit objekt kundërshtimi, Gjykata konstaton se arsyetimi i Kuvendit është tepër i përgjithshëm dhe nuk jep shkaqet për të cilat është vendosur rrëzimi i kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor.
-Nga ana tjetër, nga analiza e kërkesës së pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor dhe nga mënyra e përcaktimit të objektit të saj, Gjykata vëren se ky i fundit është specifikuar në mënyrë të tillë që nuk lë vend për paqartësi apo dykuptimësi.
-Edhe për sa i përket qëllimit të ngritjes së Komisionit Hetimor, Gjykata, vlerëson se objekti përputhet me kompetencat kushtetuese të Kuvendit, pra me të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga ana e Forcave të Armatosura. Po në këtë aspekt, objekti nuk përmban pasaktësi apo paqartësi të dukshme në mënyrën e formulimit të tij pasi shpjegohet harku kohor i hetimit, si dhe faktet që duhet të hetohen.
-Gjykata vëren se nuk kemi të bëjmë me ndonjë përpjekje të pakicës që parlamenti të përvetësojë kompetencën e prokurorisë për të ndjekur vetë penalisht apo për të kryer vetë hetime për çështjen konkrete.
-Gjykata vlerëson se qëllimi i Komisionit nuk ka qenë hetimi mbi çështjet për të cilat ka filluar procedimi penal, por ajo që kërkohet të hetohet është çështja se sa efikase dhe të përgjegjshme kanë qenë institucionet shtetërore në kryerjen e detyrës së tyre në funksion të parandalimit të fenomenit të trafikut të lëndëve narkotike. Në këtë kuptim, në vlerësimin e Gjykatës, natyra e hetimit parlamentar, që kërkohet të kryhet, nuk është e njëllojtë dhe nuk mund të barazohet me objektin e hetimit të organit të prokurorisë.
-Gjykata çmon se, përderisa pushteti i pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të vihet në dyshim, fakti se një çështje e ngjashme po hetohet nga prokuroria, nuk krijon pengesë apriori në ngritjen e tij.
-Argumenti i përdorur nga Kuvendi për mosmiratimin e kërkesës së pakicës parlamentare për ngritjen e Komisionit Hetimor në fjalë, pra se për të njëjtën ngjarje po kryhen hetime nga ana e organit të prokurorisë, është i pabazuar.
-Gjykata rithekson se ngritja e komisionit hetimor parlamentar, kur kërkohet nga pakica parlamentare, është e detyrueshme. E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të vihet në diskutim.
-Bazuar edhe në jurisprudencën e saj, Gjykata vlerëson se e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor në rastin konkret është mohuar nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Për arsyet e mësipërme, Gjykata vlerëson se kërkesa e pakicës parlamentare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit është e bazuar.