“Pavarësisht deklaratave të kryetarit (me mandat të përfunduar sipas statutit) dhe sofizmave të tioj me modelin laburist, aq më keq të imitimeve përdredhëse të ‘ideologëve’ dhe servilëve të çdo kryetari radhe, përgjigja është e thjeshtë: duhej të ishte respektuar statuti. Ose duhej miratuar me shpejtësi një statut tjetër”.
Kështu shprehet ish- presidenti Rexhep Meidani në një intervistë për gazetën Panorama, kur pyetet për debatin mbi mandatin e kryetarit të PS.
Duke komentuar argumentin se zgjedhjet për kreun e PS nuk duhen zhvilluar, pasi Rama ka fituar zgjedhjet, Meidani thotë: “Çuditërisht përdoret një argument që nuk është fare argument, në kuadër të statutit aktual të partisë. Dhe, megjithatë është heshtur ose janë fërkuar sytë! Përfshirë edhe të ashtuquajturit “senatorë” të partisë”.
Sa i përket rezultatit në zgjedhje, Meidani thotë se mazhoranca i fitoi zgjedhjet për shkak të zgjerimit të koalicionit.
“Sa i përket rezultatit në proporcional, rezultati për PS-në është trishtues, sidomos në rastet kur PS rezulton forcë e tretë,” thotë Meidani.