Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Halimi: Si u bind Rama nga ndërkombëtarët për Venecian

$
0
0

eduart halimiDeputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi flet për propozimet e PD-së për reformën në drejtësi, ku ngjasojnë dhe ku dallojnë me rekomandimet e Venecias dhe pse nevojitet një dialog i gjerë

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi thekson në një intervistë për gazetën “Mapo” se palët politike duhet të lexojnë me durim 138 paragrafët e komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Ai nënvizon nevojën e një dialogu të sinqertë, duke vlerësuar se drafti duhet të pësojë ndryshime serioze dhe të konsultuara. Halimi evidenton gjatë intervistës se kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar për katër javë rresht në muajin korrik nevojën për konsulencë nga Venecia, duke shtuar se ai u bind një mëngjes vetëm nga partnerët ndërkombëtarë. Sipas Halimit, janë të paktën 30 nene të draftit që janë sugjeruar të rishikohen nga e para nga Komisioni i Venecias. “…Drafti i qeverisë përmban 58 nene, 13 prej të cilave (ato që kanë lidhje me anëtarësimin në BE) janë cilësuar si të parakohshme (të pakundërshtuara në përmbajtje edhe nga opozita, por vetëm se nuk kishin sens tani që nuk jemi anëtarë) dhe kanë mbetur 45 nene. Nga këto 45 nene, rreth 30 Venecia ka kërkuar të rishikohen edhe njëherë…”, – shtoi ai. Halimi evidenton si problemin më të madh mundësinë e kapjes politike të drejtësisë apo e thënë ndryshe, pazari i politikës me drejtësinë. Për pasojë, një dialog serioz, sipas tij, mes palëve do të shmangte edhe këtë rrezik. Halimi vlerëson ambasadorin amerikan Donald Lu për rolin që ai ka luajtur në këtë proces, ndërsa bën publike edhe disa detaje të negociatave që po zhvillojnë ekspertët e partive në ambasadën amerikane për reformën në drejtësi.

Z.Halimi, tashmë ka një draft zyrtar të Komisionit të Venecias mbi sugjerimet që ai jep rreth reformës në drejtësi. Në këndvështrimin tuaj, a i ka shpëtuar ndonjë sugjerim i juaji vërejtjeve që paraqiti Venecia…?

Para dy ditësh, bashkë me dy ekspertët e PD-së, bashkëhartuesit e dokumentit dërguar komisionit të Venecias në tetor prezantuam para publikut dhe mediave raportin e Komisionit të Venecias. Unë ndihem mirë që PD ka një grup kaq të mirë ekspertësh të cilët me përkushtim, profesionalizëm janë në krye të këtij procesi në PD. Është fakt i njohur botërisht se opozita e kishte kusht të panegociueshëm vlerësimin e komisionit të Venecias. Në marrëveshjen e korrikut 2015 për pjesëmarrjen e opozitës në komisionin e Reformës ky kusht ishte thelbësor. Mazhoranca e refuzoi këtë kusht me javë me radhë dhe ishin partnerët ndërkombëtarë ata që e bindën që ta pranonin këtë kusht. Kjo është e vërteta e sinqertë dhe partnerët ndërkombëtarë janë dëshmitarë të përpjekjeve të tyre për të bindur Edi Ramën. Po kështu është fakt i njohur botërisht se në Komisionin e Venecias ne shkuam me dy drafte. Mazhoranca me një draft dhe opozita me draft tjetër. Janë publikisht të njohura përpjekjet e opozitës në shtator për të bashkuar draftet dhe për t’i paraqitur në një, siç është e njohur dhe këmbëngulja joracionale dhe e pasinqertë e Edi Ramës për të shkuar i vetëm në Venecia. Merita për ta bindur këtë radhë i shkon sërish ambasadorit Lu. Cilat ishin problemet që kishin ekspertët e PD me draftin e mazhorancës? Mund t’i shihni dhe t’i lexoni sot pas 3 muajsh. E kemi informuar gjithë trupin diplomatik pa përjashtim në atë kohë dhe gjithë opinionin publik, dhe median. Hapini kronikat dhe faqet tuaja dhe lexojini. Ne mbështesnim në atë kohë dhe sot pa asnjë rezervë pjesën e draftit të shkruar nga ekspertët ndërkombëtarë për kreun e luftës ndaj korrupsionit në drejtësi, krijimin e SPAC, (strukturë e posaçme antikorrupsion në prokurori) BKH dhe krijimin e mekanizmave për largimin e prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar. Ne i kemi konsultuar këto pjesë me ekspertët ndërkombëtare qysh në shtator. Ekspertët e OPDAT (USA) kanë hartuar një pjesë të draftit, ne e njohim atë pjesë dhe e kemi diskutuar me ta, dhe jemi dakordësuar që në muajin shtator në një takim që kam pasur me z. Bylykbashi dhe me shefin e misionit. Pjesa tjetër e draftit të hartuar nga ekspertët vendas të emëruar nga PS, ka pasur kundërshti nga ekspertët vendas dhe cilat kanë qenë? Hapni sot dhe shihni letrën e datës 7 tetor, për të qenë të vërtetë e të sinqertë dhe jo hipokritë. Lexoni 5 pikat që përbënin shqetësimin e ekspertëve tanë dhe shihni sot vendimin e Venecias. Kjo i jep fund besoj edhe spekulimit se si po përdoret sot raporti i Venecias. Ka qenë shqetësimi i opozitës dhe jo vetëm, se ekzekutivi kishte krijuar një skemë me 8 institucione të drejtësisë (e kemi quajtur octapodus), (1-KPK; 2-KED; 3-TD; 4-KLGJ; 5-KLP; 6-ILD; 7-GJAK dhe 8-GJLA), institucione këto që do bënin nga testimi, verifikimi, largimi, emërimi, kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve ku pothuajse në të gjitha merrte pjesë apo ishin nën ndikimin e ekzekutivit, ministrit të Drejtësisë.

Në të gjitha deklaratat publike të bëra nga opozita, nga tetori kur doli drafti e deri më sot nga lidershipi i saj shqetësimi ka qenë kapja politike e drejtësisë, e bërë nga kjo skemë me emërim prej 84 votash dhe ku prezent do ishte kryeministri nëpërmjet ministrit të tij. Pavarësisht nëse emrin e ka sot Edi Rama dhe nesër Lulzim Basha. Çfarë ka thënë sot Venecia? Ka rrëzuar skemën që propozohet në draftin e qeverisë të hartuar nga ekspertët vendas. Nuk qëndron, duhet riparë e gjithë skema sepse çimentohen interesat e një grupi politik që është në mazhorancë, pra me një gjuhë profesionale, kapja politike. Çfarë ka thënë opozita? Ka thënë se ministri i ekzekutivit nuk duhet të jetë në asnjë nga institucionet e drejtësisë siç parashikonte drafti i qeverisë. Çfarë ka thënë Venecia? Të njëjtën gjë të paktën 4 herë në raport. Këto kanë qenë shqetësimet kryesore të opozitës dhe kanë gjetur përkrahjen e komisionit të Venecias në të paktën 30 paragrafë të cituar nga ekspertët e PD para dy ditësh. Janë të paktën 30 nene të draftit që janë sugjeruar të rishikohen nga e para. Drafti i qeverisë përmban 58 nene, 13 prej të cilave (ato që kanë lidhje me anëtarësimin në BE) janë cilësuar si të parakohshme (të pakundërshtuar në përmbajtje edhe nga opozita, por vetëm se nuk kishin sens tani që nuk jemi anëtarë) dhe kanë mbetur 45 nene. Nga këto 45 nene, rreth 30 Venecia ka kërkuar të rishikohen edhe njëherë. Kjo është e vërteta që deklaruan ekspertët e PD para 2 ditësh, pa triumfalizëm, por me argumentet të bazuar në çdo paragraf të Komisionit të Venecias secili, e përsëris secili. Komisioni i Venecias ka çmontuar skemën e kapjes politike që synonte drafti i qeverisë. Heqja e këtyre komponentëve e bën draftin brenda standardeve të gjithëpranuara.

Zyrtarisht, kryetari i PD-së, Lulzim Basha është shprehur se drafti i propozimeve të Venecias është harta e rrugës që partitë politike duhet të ndjekin… Për cilat sugjerime të Komisionit të Venecias ju nuk do të binit dakord?

Komisionin e Venecias si arbitër e kërkonte Lulzim Basha në korrik 2015. Edi Rama e ka kundërshtuar për të paktën 4 javë rresht, sepse nuk pranonte gjykimin e Venecias dhe u bind vetëm nga partnerët ndërkombëtarë, mëngjesin e një dite të nxehtë korriku. Kjo është e vërteta e sinqertë, pacta su servant, (faktet flasin më shumë se fjalët). Ramës i dhemb shumë raporti i Venecias sepse i heq mundësinë për të kapur drejtësinë, i prish skemën që kishte menduar, i prish interesat për të mbrojtur deputetët e inkriminuar, deputetët me lidhje të forta me krimin e organizuar, trafiqet, korrupsionin, përfitimin e fondeve publike, ministrat e akuzuar për korrupsion. Prishja e skemës së kapjes nga Venecia i dhemb se prek interesat e forta politike të atyre që donin ta kishin në kontroll. Palët politike duhet të ulen në tryezën e reformës në një dialog të sinqertë, të pranojnë me sinqeritet, pa hipokrizi rekomandimet e Venecias, të rishkruajnë draftin në pjesët që thotë Venecia dhe të dakordësohen pikë për pikë në 138 paragrafët e raportit të Venecias. Çdo sjellje hipokrite, arrogante, apo dhe triumfaliste nuk besoj se e ndihmon procesin.

Komisioni i Venecias ka dhënë vlerësimet e tij për rolin e Presidentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve, për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm apo edhe marrëdhënies së këtij të fundit me strukturën speciale antikorrupsion; ka folur për rolin e kudogjendur të ministrit të Drejtësisë në KLD dhe komisionet e disiplinës; ka kërkuar garanci për paanësinë e komisioneve të pavarura të kualifikimit, garancinë që duhet të kenë gjyqtarët dhe prokurorët kur t’i nënshtrohen rivlerësimit etj., etj. Çfarë opinionesh ndan PD-ja për këto çështje dhe cilat janë zgjidhjet teknike që ajo ofron?

Po të shihni qëndrimin e ekspertëve të PD-së në 10 tetor 2015, është pikërisht ky. Ky është shqetësimi i PD-së. Drejtësia është aty që së pari të kontrollojë qeverinë dhe mazhorancën që të mos vjedhë, mos marrë paratë e qytetarëve, mos bëjë korrupsion, të ndëshkojë korrupsionin politik. Marrja e drejtësisë nga qeveria nuk e bën më mirë drejtësinë, e bën më keq. Nuk e lufton korrupsionin, por e frymëzon. Shihni çfarë bën Rama me 5 deputetë që kanë marrë fonde publike, para të qytetarëve, kontrata, koncesione miliona euro. Ia fsheh drejtësisë. Ndaj i dhemb shumë raporti i Venecias, sepse ia heq pushtetin për ta marrë nën kontroll. Se prek interesat politike për ta marrë nën kontroll e për ta vënë në shërbim të qeverisë. Çfarë ka thënë Lulzim Basha këto 3 muaj: Mbështesim reformën, por jo draftin i cili synon kapjen. Çfarë ka thënë Berisha katër herë rresht në parlament? Mbështesim reformën, por jo draftin. Pse jo draftin? Sepse nuk bëhet më e mirë KLD-ja po çoi kryeministri nga 3 që ka sot, në 5 anëtarë nesër, qoftë Rama, qoftë Basha. Nuk bëhet më mirë prokuroria po çoi nga 2 që ka sot, në 5 Rama apo Basha. Se skema e krijimit të 8 institucioneve të reja është një skemë kapjeje që nuk garanton pavarësinë nga politika nëse emërohen nga ne këtu, qoftë Rama kryeministër, qoftë Basha. Se nuk largohen gjyqtarët e prokurorët e korruptuar me provim nëse jurinë e zgjedh Rama apo e zgjedh Basha kryeministër. JO nuk bëhet më e mirë drejtësia nëse e merr ndër vete as Rama dhe as Basha. Bëhet më keq. Prezenca e ministrit është gjithashtu e papranueshme. Propozimet e ekspertëve tanë që në tetor 2015 janë konkrete. Nëse do ekzistojë vullneti politik i mazhorancës për të hequr dorë nga kapja, rishikimi i draftit mund të bëhet në mënyrë racionale nën sugjerimin edhe të reporterëve të Venecias, që pritet të vijnë në janar.

Ju personalisht keni folur për një reformë, e cila nuk do të synojë kapjen e sistemit të drejtësisë… Si mund të arrihet kjo? Çfarë propozon konkretisht PD?

Padyshim që mes pavarësisë, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë është një fill shumë i hollë. Fill i hollë ndërmjet pavarësisë dhe korporativizmit. Për mua, armiku më i madh është kapja politike e drejtësisë, pazari i politikës me drejtësinë. Ky pazar duhet të marrë fund. Po si? Merr fund nëse kontrollin, verifikimin, largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e bëjnë njerëzit e emëruar nga Rama apo Basha kryeministër. JO. Duhet ta bëjë një juri, e cila përzgjidhet nga institucione të pavarura. Ashtu siç thotë Venecia, që të mos çimentohen interesat e shefit të mazhorancës, pavarësisht si e ka emrin. Që ministri të mos jetë në asnjë institucion drejtësie, pavarësisht si e ka emrin, Naço, Manjani, Xhafaj, Alibeaj, apo Halimi. JO. Nuk duhet të jetë. Që emërimet në drejtësi të bëhen vetëm nga shkolla e magjistraturës. Nuk ka pse të jetë një Këshill Emërimesh me elitë, gjë e cila rrezikon korporativizmin e drejtësisë. Këto e shumë të tjera, ekspertët e PD-së i kanë shprehur qartë.

Prej disa ditësh është folur për negociata mes ekspertësh të PD-së, PS-së, EURALIUS-it dhe ambasadës amerikane, negociata që janë prekur tangent edhe nga ju vetë. A mund të na zbardhni diçka më shumë rreth këtyre bisedimeve…, çfarë çështjesh mund të thuhen publikisht se janë arritur deri më tash mes jush?

Prej një muaji, me një angazhim personal të ambasadorit Lu, ka filluar rishikimi i draftit të qeverisë me ekspertët e PD-së. Janë rishikuar disa krerë, për të cilët ekspertët e PD-së mund t’ua thonë vetë, por pas vendimit të Venecias, sipas bisedës që unë kam bërë, drafti do vijojë edhe për kapitujt e tjerë. E rëndësishme është dialogu i sinqertë mes palëve politike.

Për cilat pika të draftit të ekspertëve për reformën në drejtësi, PD-ja nuk do të toleronte asnjë mundësi negocimi?

Për 138 paragrafët e tij.

Ambasadori amerikan, Donald Lu përcaktoi pranverën si afatin e mundshëm për kalimin e reformës në drejtësi. Nisur nga negociatat e deritashme, punën që do të bëhet bazuar mbi draftin e propozimeve të Komisionit të Venecias, a ka PD-ja në axhendën e saj ndonjë afat paraprak se kur mund të përfundojë kjo reformë?

Pa angazhimin e ambasadorit Lu, sot reforma dhe konsensusi do ishin shumë, shumë larg. Angazhimi i tij nga korriku e në vijim ka qenë dhe mbetet vendimtar në vendosjen e një dialogu të sinqertë me palët. Angazhimi i tij syçelët dhe racional në këtë proces është garanci për opozitën në këtë proces. Ne jemi duke diskutuar aktualisht reformën kushtetuese si pjesë e reformës në drejtësi. Unë vlerësoj se ky proces do durim, maturi, do një lexim të qetë, të vëmendshëm të raportit të Venecias. Drafti duhet të ndryshojë. Ndryshimet duhet të jenë serioze dhe të konsultuara. Ajo që do të insistoj është dialogu i sinqertë mes palëve politike dhe vullneti për një reformë që të synojë largimin e gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, luftën ndaj korporativizmit në drejtësi dhe një sistem drejtësie të pavarur nga shefi i ekzekutivit, pavarësisht se sot e ka emrin Edi Rama dhe në pranverë do e ketë Lulzim Basha.

 

Pjesë nga letra që PD u dërgoi ndërkombëtarëve më 7 tetor

Nga analiza e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga mazhoranca parlamentare janë për t’u përshëndetur disa amendamente, të cilat kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit. Mirëpo nga shqyrtimi në tërësi i ndryshimeve arrihet në konkluzionin se, qëllimi i të gjithë paketës së amendimeve kushtetuese është:

1- Hapi i parë, spastrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë, nëpërmjet procedurave të pezullimit të garancive kushtetuese të palëvizshmërisë në detyrë, mohimit të së drejtës së ankimit në rast shkarkimi, si dhe mbi të gjitha, të pamundësisë së Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur mbi kushtetutshmërinë e një ligji të tillë. Testimi qeveritar për njohuritë nëpërmjet provimit, sipas pikës 3 të nenit 8 të Aneksit, nëpërmjet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që përbëhet tërësisht nga komisionerë, të cilët emërohen nga Kuvendi me 84 vota (mazhoranca aktuale), nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit, por spastrimeve politike në sistemin e drejtësisë…

2- Spastrimet do të pasohen nga emërimet e reja në sistem, ku shmanget kushti vendimtar i përfundimit të Shkollës së Magjistraturës (pika 5 e nenit 28 të projektligjit) dhe përfshihet kriteri i juristëve me mbi 20 vjet eksperiencë, e thënë ndryshe, juristët e kohës së diktaturës, të lidhur këta pazgjidhshmërisht me sistemin komunist dhe partinë bijë – Partinë Socialiste.

3- Të gjitha emërimet që do të kryhen në 10 institucionet e reja që krijohen (1-KPK; 2-KED; 3-TD; 4-KLGJ; 5-KLP; 6-ILD; 7-SPAK; 8-BKH; 9-GJAK dhe 10-GJLA) bëhen me 84 vota, të cilat zotërohen nga mazhoranca aktuale parlamentare, pas trafikut të deputetëve që e filloi pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 (nga zgjedhjet mazhoranca Rama –Meta kishte vetëm 83 deputetë).

4- Në të paktën 8 institucionet e reja që krijohen, ulet ndjeshëm pjesëmarrja e anëtarëve të gjyqësorit dhe rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të emëruar nga mazhoranca, duke e kapur me 8 këmbë e duar (octa podus- greek = tetë këmbë) të gjithë sistemin e drejtësisë. Institucioni që do të kontrollojë të gjithë sistemin është ILD, me anëtarë të zgjedhur plotësisht nga Kuvendi (mazhoranca parlamentare) dhe që inspektohet nga ministri i Drejtësisë, i cili ka të drejtë të kërkojë hetimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të KLGJ, KLP, apo PP. (pika 9 e nenit 45 dhe neni 47 i projektligjit).

5- Eliminimi i të gjithë filtrave që mund të parandalojnë kapjen nga mazhoranca e mbi 84 votave, eliminimin e Institucionit të Presidentit dhe opozitës parlamentare. Kjo të krijon bindjen se 8 institucionet e reja kushtetuese që kërkohen të krijohen, do të jenë 8 linket që do e kapin dhe e mbajnë drejtësinë nën pushtetin ekzekutiv të mazhorancës. Kapja pa as më të voglin dyshim është armiku më i madh që kërcënon drejtësinë…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143