Ambasadori amerikan dhe trajneri italian i Kombëtares kanë shënuar vitin 2015 për shqiptarët. Një vit që kalon mes krizës ekonomike, azilkërkuesve, aksioneve e reformave të sulmuara të qeverisë, kualifikimit në Europian dhe përpjekjes për të pastruar politikën e drejtësinë nga të korruptuarit e kriminelët
Nga Vladimir Karaj
Njerëzit më të rëndësishëm për shqiptarët në 2015 janë dy të huaj. Një italian, i natyralizuar tashmë, strategu pas kualifikimit në Europianin e Francës që luhet në verë të 2016 dhe një amerikan, Donald Lu, që mësoi shqip para zbritjes së vonuar në Rinas që ka marrë përsipër strategjinë e ndryshimit rrënjësor të vendit përmes reformës në drejtësi. Përtej kësaj nga Janari në Dhjetor 2015 ishte një vit i vështirë, i lodhshëm, i shënuar prej azilkërkuesve, krizës ekonomike në vijim dhe konfliktit të vazhdueshëm politik i cili vijon të tërheqë vendin zvarrë. 2015 ishte 25 vjetori i lëvizjes për demokraci, por analizat e protagonistëve të atyre ditëve e gjetën ëndrrën të parealizuar dhe një Shqipëri të kapur mat mes një klase politike të dështuar sipas shumicës, por që vijon të ketë pushtetin dhe një pamundësie për të ndryshuar. Qeveria e ka shpallur një kohë reformash një operacion që vijon prej 2013 në një seri fushash përfshi atë të drejtësisë, arsimit, sistemit fiskal e territorit. E ndërsa kryeministri vijon të flasë për një pacient të shtruar në tavolinën e operacionit, atij i është dashur që veç opozitës të vërë në vijë edhe debatin në sallën e tij “të kirurgëve”. Përplasjet, e mohuara prej palëve, mes LSI e PS kanë qenë më të lexueshme publikisht që prej zgjedhjeve lokale, ndërsa së fundmi është bërë e qartë në debatin për reformën në drejtësi ku forca e dytë e koalicionit qeverisës ka bërë propozime të vetat. Ndërrimi i ministrit të Drejtësisë prej saj dhe qëndrimet e të sapoemëruarit Ylli Manjani kanë bërë edhe më të dukshëm diferencën mes palëve. Nga ana e saj opozita ende nuk ka mundur të rikuperojë pas humbjes së rëndë më 2013. Ajo humbi zgjedhjet lokale por arriti një fitoreje jo të vogël në lidhje me dekriminalizimin e kërkuar prej saj.
Azilkërkuesit
Shqiptarët ishin të dytët pas sirianëve në dyndjen drejt perëndimit në 2015. Azilkërkues që vinin prej një vendi pa luftë, por që i rezistuan një fushate të gjatë sensibilizimi e kërcënimi bashkë. Një pjesë e tyre u kthyen gjatë vitit, të tjerë ende janë në kampet për azilantë në shpresë se diçka do të ndodhë që do u mundësojë atyre të fitojnë azil. Kjo në fakt ishte drama e 2015, një rikthim te eksodi i një vendi që siç e përshkruan mediat gjermane kishte gjithçka përpos shpresës se gjërat mund të përmirësoheshin. Azilantët ishin po ashtu pjesë e luftës së brendshme politike, ata u kthyen në një kalë beteje për opozitën. E gjithë kjo ndodhte në një atmosferë të ngarkuar me refugjatë lufte nga Lindja e Mesme, qindra prej të cilëve humbën jetë në Egje, të tjerë në makinat frigoriferike që i transportonin për në Veri të Europës. Mijëra prej tyre mbeten edhe sot në kufijtë me tela me gjemba që u ngritën mes Turqisë e Bullgarisë, Maqedonisë e Greqisë, Hungarisë e Serbisë e vendeve të tjera, të përfshira po ashtu prej një rritje të dukshme të së djathtës ekstreme dhe racizmit.
Afera CEZ dhe Dosja Doshi
Asnjëherë më herët nuk pati ndodhur që një deputet i Shqipërisë të akuzojë një koleg të tij se kërkon ta vrasë. Kështu kur Tom Doshi akuzoi kreun e kuvendit se i kishte organizuar një atentat dhe se kishte dashur ta vriste vendi u nda më dysh me një palë që besonin akuzën dhe të tjerë që panë atë si një shpikje. Konspiracioni përfshinte një dëshmi të marrë me gjasë nën kërcënim të një njeriu të botës së nëndheshme të krimit të dyshuar siç doli më vonë edhe për një prej atentateve më të rënda në vend. Një prokuror i Krimeve të Rënda, një i afërm i Sali Berishës dhe një numër njerëzish të tjerë u përmendën në historinë që sipas prokurorisë rezultoi një trill për të goditur kreun e LSI Ilir Meta. Fundi i konspiracionin çoi në qeli vetë Tom Doshin dhe kolegun Mark frroku që doli se luajti një lojë të dyfishtë në historinë ku dilte se ishte njeriu që kishte informuar Doshin për atentatin dhe prezantuar me “vrasësin”, por që e mohoi këtë publikisht. Frroku, tashmë një ish deputet pësoi një goditje të dytë pas rihapjes së një dosje të vjetër prej Brukselit ku akuzohej për një vrasje. CEZ ishte nga ana tjetër dosja e madhe që i shpërtheu në duar politikës pas një investigimi të BIRN. Ilir Meta qe sërish njeriu në qendër të akuzave por në pak kohë këto u diversifikuan duke përfshirë thuajse gjithë politikën e vendit që sipas akuzave të bëra prej palëve ishte implikuar në një aferë disa miliardëshe abuzimesh me sistemin energjetik të vendit.
Dekriminalizimi
Edhe pse ishte shpërfaqur që herët sfondi aspak fisnik i një pjesë të të zgjedhurve këta të fundit patën mundur ta mbanin në fre shpërthimin e historisë. Por letrat nga Interpoli për Mark Frrokun e më pas përfshirja e Armando Prengës në një përplasje me armë e bënë detyrues pastrimin e kuvendit prej personave të përfshirë më herët në krime banale. Lista e bërë publike mbetet ende e pa testuar plotësisht edhe pse një pjesë e të përmendurve janë larguar prej politikës, por shumë të tjerë mbeten në krye të bashkive të zgjedhur vetëm në verë të këtij viti, ndërsa as parlamenti nuk duket se është pastruar prej tyre. Kalimi i një ligji për dekriminalizimin në kuvend ka krijuar ndërkohë një hallkë që shpresohet se do mund të çojë në fund procesin. Opozita e cila e pati propozuar ligji e shënoi këtë me të drejtë në listën e fitoreve të saj, që nuk ishin shumë gjatë këtij viti.
Reforma në drejtësi
Pastrimi mbështet fort prej Bashkimit Europian dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë, por zëri dhe njeriu që po bën fushatën më të ashpër publike kundër kriminelëve në politikë dhe po këmbëngul për një sistem të ri drejtësie që do i dënonte ato është ambasadori Donald Lu. Lu zbriti në Rinas pasi kishte mësuar shqip, në muajt që emërimi i tij mbeti pezull për shkak të përplasjes për buxhetin mes Presidentit Barak Obama dhe republikanëve në Senat e Kongres. Por nga Janari kur mbërriti në Shqipëri e deri tani ai ka bërë një vend protagonistë në politikën lokale. Lu i ka tejkaluar të gjithë paraardhësit tij ambasadorë duke hequr dorashkat diplomatike e duke dhënë deklarata që shqiptarët do i mbajnë mend gjatë: “Nëse ora juaj është më e shtrenjtë se makina ime, atëherë ka shumë gjasa që ju të jeni të korruptuar”, u tha ai disa ditë më parë në Konferencën Gjyqësore gjykatësve të mbledhur për të zgjedhur anëtarë të KLD-së. Kjo ishte vetëm një prej disa fjalive të forta. Më herë ambasadori bëri të qartë për shqiptarët se të gjithë ata që do kundërshtonin reformën që ai thotë se është bërë nën mbikëqyrjen e SHBA-BE do të shpalleshin të korruptuar. Madje ndryshe nga sa ka ndodhur më herët është Lu që ka vënë edhe deadline për kohën kur ajo pritet të hyjë në fuqi e në bashkëpunim me ligjin për dekriminalizimin të pastrojë politikën dhe sistemin e drejtësisë. Kjo e ka bërë ambasadorin bashkë me kolegët e BE, Gjermanisë dhe Britanisë që janë më pak aktivë një prej njerëzve më të dashur ndër shqiptarët e thjeshtë, por sigurisht ata me orë të shtrenjta nuk janë të kënaqur prej tij.
Zgjedhjet
Shqipëria për herë të parë hoqi dorë nga një ndarje administrative e lodhshme dhe e dalë jashtë kontrollin. Një numër me qindra bashki e komuna u reduktuan në 61. Një hartë e re e miratuar me kontestime të ashpra të opozitës e cila sidoqoftë hyri në zgjedhjet lokale të qershorit pavarësisht se kishte kërcënuar se nuk do ta bënte. Shumica parlamentare i fitoi ato bindshëm duke marrë 45 prej bashkive përfshi Tiranë, Durrës, Elbasan, ndërkohë që opozita mori 15 bashki dhe një u fitua prej një kandidati jashtë dy koalicioneve të mëdha. Shumica mori ndërkohë fitore dërrmuese në këshilla bashkiakë e ndikuar edhe prej bashkimit me PDIU që braktisi opozitën pak para zgjedhjeve. Gati 59 këshilla prej 61 kontrollohen nga shumica në qeverisje. Opozita që përmirësojë njëfarësoj rezultatin prej 2013 në mazhoritar u nda mes shpalljes së një fitoreje në kushte të këqija dhe akuzave për vjedhje të zgjedhjeve. Në fakt edhe pse i njohu këto të fundit PD vazhdon t’i cilësojë ato të vjedhura në protestat e ditëve të fundit duke justifikuar kështu edhe arsyen se përse po dilte në protesta duke kërkuar qeveri teknike edhe pse shumica ishte rivotuar masivisht gati me të njëjtin numër votash si në 2013.
Ndërkohë fundi i zgjedhjeve nxori në pah problemet edhe brenda shumicës. Ato filluan si kunja për ‘pabesi’ pas humbjes së LSI në disa prej bashkive që dukeshin të fituara dhe u bënë më të lexueshme në vjeshtë kur palët duket se shkojnë në drejtime të ndryshme për një pjesë të reformave. Edi Rama dhe Ilir Meta këmbëngulin publikisht për një situatë normale, por mjaft prej lëvizjeve të tyre janë lexuar si shenja të një krize që mund të shkojë deri në zgjedhje të parakohshme.
Kohë reformash dhe krize
Një listë reformash u kaluan prej kuvendit mes kundërshtimesh jo të vogla. Një ligj i ri fiskal që erdhi bashkë me një fushatë të formalizimit gati me forcë të tregtisë me pakicë e shumicë, ishte tentativa e qeverisë për të përmirësuar situatën në buxhet që sidoqoftë nuk ndryshoi shumë. Nën ankesat dhe protestën e tregtarëve dhe opozitës për represion, qeveria sidoqoftë ia doli të masivizojë në një farë mënyre përdorimin e kuponit tatimorë. Kalimi i reformës në arsimin e lartë ishte po ashtu një shenjë e ndryshimeve të mëdha që u përball me kundërshtime jo të pakta. Reforma madje si shumë ligje të tjera u votua dy herë, pasi presidenti e ktheu pas atë. Nga ana tjetër ndërmarrjet e qeverisë nuk e shpëtuan Shqipërinë nga kriza ekonomike. Kredia mbeti e bllokuar, tregtia pësoi rënie dhe parashikimet për rritjen ekonomike mbetën të parealizuar. Institucionet ndërkombëtare që asistojnë në këtë pikë shohin edhe në të ardhmen pak ndryshime të mëdha dhe vendi vijon të vuaj nga kriza e papunësisë dhe probleme të thella sociale që janë përkeqësuar në disa raste prej ndërhyrjes burokratike në emër të reformave.
Merkel dhe “pajtimi” Rama-Vuçiç
Ndërsa problemet brenda vendit mbeten të hapura kryeministri u bë pjesë e një nisme që ka për qëllim pajtimin mes shqiptarëve e serbëve, për të krijuar një bashkim që besohet se mund ta nxjerrë Ballkanin prej krizës. Kancelarja gjermane Angela Merkel është kumbari dhe njeriu që po e mbikëqyr këtë bashkim i cili nga një anë kërkon të zbusë urrejtjen qindravjeçare mes dy kombeve dhe nga ana tjetër t’i bëjë ata një tyre më joshës për investime dhe po ashtu për ndihmë nga BE. Një listë projektesh janë miratuar apo janë në listë për miratim prej këtij viti dhe shpresohet se do të krijojnë ura lidhëse mes vendeve. Ndërkohë për herë të parë Shqipëria u vizitua nga një kancelar gjerman. Vizita e Merkel që ishte në Tiranën në kulmin e krizës me azilkërkues prej vendit tonë në Gjermani është parë si një shenjë e një përfshirje më të madhe të Berlinit në rajon dhe në Shqipëri.
Xhani o Xhan
Diçka prej kësaj politike të jashtme doli. Një grup studentësh serbë nën masa të rrepta sigurie ndoqën ndeshjen e kthimit mes Shqipërisë e Serbisë të vlefshme për eliminatoret e Europianit dhe njohën një pjesë të vendit në një program shkëmbimi për nxënës. Serbia fitoi 2 me 0 në minutat shtesë të një takimi që shkoi deri në fund, duke e zhytur vendin gati në depresion dhe vënë në dyshim kualifikimin e parë për në Europian. Disa ditë më vonë “shqiponjat” fluturuan lart. Tipike për një skenar filmi. Kualifikimi i parë në historinë për një finale të madhe u kthye në një festë kombëtare. Mijëra njerëz dolën në rrugë të prisnin kombëtaren që kthehej nga Armenia. Xhani De Biasi italiani me shtetësi shqiptare ishte bashkë me stafin e tij dhe lojtarët si Lorik Cana e të tjerë simboli i një kualifikimi të vuajtur e gati heroik që filloi me një gol në rafishatë të Bekim Balës në Portugali. Bala nuk shënoi asnjë gol tjetër në pjesën e mbetur të eliminatorëve kur kryesisht qëndroi në stol për Sokol Cikalleshin, por gjuajtja e tij qëlloi një bekim për Shqipërinë ashtu si forca e Mavrajt, Berishës, Xhakës e pjesës tjetër të lojtarëve që humbën vetëm dy ndeshje në minutat e fundit. Arritja e kombëtares është padyshim pika më e lartë e 2015.