Partia Demokratike ka shprehur shqetësim për situatën dramatike në të cilën nisi ky vit, përsa i përket rendit dhe sigurisë. Enkelejd Alibeaj, kreu i departamentit të rendit dhe sigurisë renditi ngjarjet e rënda të këtij viti.
“Një krim i dyfishtë në Sarandë u shënua në orët e para të vitit 2016. Shtetësja Lina Uzo u ekzekutua nga bashkëshorti edhe pse ajo kishte një urdhër mbrojtje si pasojë e dhunës që ushtronte bashkëshorti i saj.
Në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar, si pasojë e aksidentit në aksin rrugor Lushnjë- Berat humbi jetën një 17 vjeçare , po me datë 1 Janar një 18 vjeçar Rudolf Javxhiu humbi jetën në aksin rrugor Lin –Pogradec, katër të rinj u plagosën dhe fatkeqësisht njeri prej tyre, Ardit Piranej 34 vjeç, humbi jetën në aksin rrugorr Velipojë –Shkoder.
Në Tiranë efektivi i policisë, 48 vjeçari Njazi Cera humbi jetën si pasojë e një aksidenti në Sauk. Një vrasje e dyfishtë shoqëroi këtë fillim viti të përgjakshëm. Në fshatin Drisht të Postribës, dy vellezer Abdulla dhe Skënder Shkami janë ekzekutuar me armë zjarri. Mbrëmë në aksin kombëtar Lezhë-Shkodër është qëlluar me armë zjerri duke humbur jetën shtetasi Dritan Loreni”, – tha Alibeaj.
“Një bilanc tragjik 8 viktima vetëm në dy ditë tregon një përkeqësim të rendit dhe sigurisë. Duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, i bëjmë thirrje drejtuesve të policisë së shtetit të marrin menjëherë masat për t’ju dhënë mbrojtjen e duhur viktimave të dhunës në familje, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritur forcën parandaluese përmes shërbimeve të informacionit.
Partia Demokratike inkurajon punonjësit e Policisë të cilët ndonëse ndihen të tradhtuar nga drejtuesi më i larti i tyre, ministri i Brendshëm i skeduar nga të gjithë shërbimet e vendeve partnere si bashkëpunëtor i trafikantëve, të vazhdojnë me përkushtim punën e tyre në shërbim të qytetarëve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë”,- përfundoi deklarata e PD-së.