Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë një reagim politik gjatë ditës së sotme, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ku hedh poshtë dhe përbuz akuzat e mbërritura po sot nga Partia Demokratike, e cila vuri alarmin për vitin e nisur me përqindje të larta krimesh.
“Tellalli i gatshëm i zyrave të SHQUP-it, e nisi këtë vit të ri, në të njëjtin avaz siç e mbylli atë që shkoi, me shpifje e sulme për Policinë e Shtetit dhe Ministrin e Punëve të Brendshme.
Edhe pse të kapur në flagrancë në mënyrë të përsëritur si gënjeshtarë, SHQUP-istët nuk e ndalin dot vesin e përbaltjes së Policisë, edhe në ato raste kur nuk ka vend për politikë”, – shkruhej në njoftimin e MPB.
“Puna e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, flet shumë më qartë e fortë se çdo deklaratë politike.
Rezultatet e luftës kundër informalitetit, paligjshmërisë e kriminalitetit, janë aq evidente, sa mbi 1000 konferencat e shtypit të SHQUP-it të mbledhura bashkë, nuk e fshehin dot.
Sumet politike të këtij lloji, janë konfirmimi më i mirë se jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë më të drejtë, më të paqtë e më të sigurtë”, – përfundonte njoftimi.