Deputeti i dënuar më parë për trafik të qenieve njerëzore ka qenë në Kuvend edhe kur është hartuar raporti i Departamentit të Shtetit në vitet e mëparshme.
Megjithatë sivjet SHBA ishte më e prerë në qëndrimin e saj.
E gjitha kjo vjen në klimën e “dekriminalizimit”, një betejë e nisur nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha.
Vërtet beteja nuk dha frytet e duhura dhe në zgjedhje kandiduan persona me precedentë penalë, por duket se Basha ndjen njëfarë gëzimi kur sheh këtë raport, që konfirmon shqetësimet e opozitës së tij.
Pak pas deklaratës së ambasadës amerikane, Basha doli vetë në një konferencë për shtyp për të komentuar raportin e DASH për trafikun e qenieve njerëzore.
Në komunikimin me mediat, Basha tha se ky raport është pasqyrimi më i mirë i situatës në të cilën ndodhet Shqipëria.
“Por Shqipëria është një rast unik ku tutorët e vajzave të shfrytëzuara për prostitucion bëhen deputetë dhe kryetarë bashkish”, tha Basha.
Kreu i partisë më të madhe të opozitës nënvizoi se PD do të vijojmë betejën për dekriminalizimin e politikës, duke pasur përkrah SHBA dhe BE.
Basha akuzoi dyshen qeverisëse Rama-Meta për bashkëpunim me qarqe kriminale për blerje votash dhe afera të tjera.
“Rama dhe Meta heshtin sepse krimi dhe personat me prejardhje kriminale janë themeli i kësaj qeverie”, ka theksuar Basha.
Ky reagim i tij vjen në një kohë kur në media, por sidomos në rrjetet sociale, ka një debat të madh nëse Lulzim Basha e ka bërë mirë punën e tij si kryeopozitar.