Gazeta Tema e Mero Bazes ka lëshuar akuza të rënda sot ndaj Presidentit të Republikës Bujar Nishani.
Sipas Temës “Presidenti aktual i vendit është i përfshirë në një skandal të rëndë politik, duke i dërguar letër zyrtare një gjyqtareje në Tiranë, ku i rekomandon mënyrën se si duhet të gjykojë ish- kryeinspektorin e Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmetaj, në kohën kur ishte ministër i Brendshëm”.
“Në një letër zyrtare drejtuar gjyqtares Majlinda Doga – vijon Tema -, Bujar Nishani i rekomandon asaj zyrtarisht, se si duhet klasifikuar akuza ndaj Ahmetaj, dhe përse nuk përbën arsye për pezullim nga detyra ajo për të cilën akuzohet ish- kryeshefi i Qarkullimit Rrugor, të cilin më pas Nishani e mori si komandant të rojeve në Presidencë”.
Gazeta e Bazes e quan letrën skandaloze dhe thptë se “Bujar Nishani bën dhe një portret të të pandehurit, duke e vizatuar atë si njeri të përkushtuar, që ka bërë shumë për policinë dhe që duhet të kihet parasysh në procesin e gjykimit ‘pa ndërhyrë’ në të”.
Tema përcjell faksimilet e shkresës në fjalë dhe e e konsideron një letër të tillë zyrtare si dëshmi për “konceptet e presidentit për drejtësinë e pavarur, dhe zbulon qartë përse kundërshton ai dhe Berisha reformën në drejtësi, pasi duan të kenë të bëjnë me gjyqtarë, të cilët mund t’i udhëzojnë me letra zyrtare, se si të japin drejtësi. Një dokument i tillë, është i mjaftueshëm për çdo zyrtar në botë, të japë dorëheqje nga posti që mban. Për me tepër kur flitet për reformën në drejtësi dhe kur ka “guximin” të akuzojë mbrojtësit e reformës në drejtësi, ku ndër më kryesorët janë dy ambasadorët e Perëndimit, se po blejnë vota për ta kaluar atë. Bëhet fjalë për dikë, që është në krye të sistemit të drejtësisë në Shqipëri për shkak të postit si president i Republikës, dhe që udhëzon gjyqtarët, se si duhet të votojnë. Vetëm për kaq, do t’ia vlente të bëhej, jo vetëm reforma në drejtësi, por mbi të gjitha në Presidencë, duke nxjerrë nga zyrat e shtetit këta oktapodë, që kanë kapur drejtësinë dhe e përdorin, deri për interesa banale të një badigardi të tyre”, përfundon Tema.