Deputeti Nard Ndoka i njohur gjerësisht në rrjetet sociale si “Nard Filozofi” ka dhënë një intervistë për GSh ku thotë se batutat në FB janë të gatuara nga politikanët.
“Etiketimet si filozof apo të tilla në FB mendoj se bëhen nga politikanë që duan të denigrojnë figurën time. Megjithatë nuk u kam kushtuar shumë rëndësi. Por pavarësisht se nuk më pëlqen përmendja e emrit tim shpesh në FB, falë tij kam patur edhe rritje të popullaritetit te të rinjtë që shpesh më ndalojnë në rrugë për të bërë foto”, ka thënë Ndoka.
Lidhur me titullin “Akademik Nderi” që mori pak ditë më parë në Itali Ndoka thotë se nuk është titulli i tij i parë.
“Ky titull vjen pas një bashkëpunimi të gjatë me universitetin në fjalë. Por nuk është titulli im i parë. Kam marrë edhe një tjetër titull Akademik Nderi nga Akademia Norman, Ambasador i Paqes si dhe titullin Qytetar Nderi nga Bashkia e Vaut të Dejës”, përfundon deputeti Ndoka.