Rrugëtimi i 36 vjeçarit që e nisi militimin me organizatën “Mjaft” për të mbërritur në karrigen e qytetarit të parë të Tiranës. Lëvizjet e politikanit që sfidoi kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë. Marrëdhëniet me Edi Ramën që në 2017-ën do i kërkojë “borxhin” e mbështetjes. Si pritet të qeverisë dhe a do ta zhgënjejë Veliaj metaforën e suksesit të “djalit të popullit” në politikë?
Nga Sebi Alla
Shumë e kërkoi, fort luftoi dhe në fund e fitoi Bashkinë e Tiranës. Për kryebashkiakun e ri Erion Veliaj ka nisur matja e kohës, kryeqyteti e bëri zgjedhjen duke i dhënë një mandat të plotë me 43 572 vota më shumë se rivali kryesor, Halim Kosova. Djali që e nisi militimin me organizatën “Mjaft”, u fut në stofin e ngushtë të politikës dhe shkoi më shumë se parashikimet. U tha mjaft për një kohë të shkurtër zërave se ai ishte thjesht një i “përkëdhelur” i Ramës, pasi diti të ecë vetë atëherë kur i duhej. Njeriu i vështruar me shumë xhelozi edhe brenda Partisë Socialiste, i anatemuar fort nga opozita, i patoleruar kur shkau gjatë karrierës politike, mundi të shkonte më lart se mëtonjësit e tjerë për poste të larta, kjo edhe me dorën thuajse gjithnjë të zgjatur të kryeministrit Edi Rama. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Veliaj do të dijë të bëjë punën, (pasi ta reklamojë atë, askush nuk e diskuton), apo do të mbahet mend si një administrator i rëndomtë i bashkisë kryesore të vendit? Karizma nuk i mungon, ndërsa në tavolinën e punës së tij, veç disa dosjeve të lëna nga paraardhësi, ka edhe premtimet e dhëna për disa projekte të mëdha infrastrukturore dhe jo vetëm, si ajo e Unazës së Madhe, problemi i ndërtimeve që premtoi se do i thotë stop betonizimit, ruajtjen e paprekur të parkut të liqenit artificial dhe punët e tjera komunitare që nisin që nga pastrimi, gjelbërimi, parkingjet, transporti urban etj. Veliaj ka në duar atë çfarë kërkoi: “Një mundësi”… Qytetarët e Tiranës ia dhanë, tashmë i duhet të ndryshojë kurs, që të mbahet mend si njeriu që diti të bëjë punë në bashki dhe jo si personi që përdori politikën e miqësinë personale për të fituar një post. Ndërsa “hija” e Ramës mund të mbesë për shumë kohë, kur ende qëndrojnë disa pikëpyetje nga mjaft skeptikë që mendojnë se kryeministri veç qeverisë, do “fusë” edhe një dorë në Bashkinë e Tiranës.
Rruga e gjatë për në Bashki
Për të ngjitur shkallët e mbuluara nga tapeti i kuq i vjetruar, Erion Veliaj paraditen e së enjtes e përshkoi në këmbë rrugën nga selia e Partisë Socialiste drejt Bashkisë së Tiranës. Jashtë ka atmosferë, kryebashkiaku i ri di mirë të tërheqë vëmendje, edhe kur askush nuk e ka mendjen… Doli nga Partia Socialiote pa automjet, por i veshur mirë, me kostum serioz, eci duke respektuar edhe vizat e bardha dhe më pas kaloi sheshin, për t’u përshëndetur me qytetarët para se të kapërcente pragun e bashkisë. Brenda ambienteve të Bashkisë së Tiranës ka lëvizje gati marramendëse, aq sa shkartisen si pa dashje nëpunësit e vjetër që shërbejnë që nën qeverisjen e Lulzim Bashës dhe të rinjtë që besojnë se shefi i ri, Erion Veliaj i ka përzgjedhur tashmë në një tjetër rrugëtim. Askush nuk mund ta kishte menduar katër vjet më parë se Lulzim Basha që e mori Bashkinë Tiranë me plot bujë dhe kundërshtime, do të zbriste prej saj pa u ndjerë, por me tjetër mendje, tashmë në krye të Partisë Demokratike. Për Erion Veliajn, nëse e ka si objektiv, koha për të deri në majën e partisë pret, madje mund të jetë e gjatë. Atij i duhet të përqendrohet fort tek Bashkia e Tiranës. Edhe për kundërshtarët politikë, Veliaj nuk mund të konsiderohet i paaftë në këtë drejtim, sepse di të lexojë situatën dhe kapë momentin. Këtë e bën mjaft mirë me të tijtë e kundërshtarët, por në raport të drejtpërdrejtë me votën popullore nuk ishte provuar. Sepse ecja e deritanishme në pjesën më të madhe i atribuohet Partisë Socialiste. Pasi në politikë “i vetëm” në vitin 2009, Veliaj e kuptoi qartë ku me partinë e sapokrijuar të tij “G 99”, në mos dështim ishte një sinjal se vetëm me mbështetjen apo shkrirjen me dy forcat e mëdha politike mund të ecësh. Por tani Veliaj, veç votave socialiste, ka marrë edhe të vetat. Pas katër vitesh do të jetë drejtpërdrejtë me përballjen me qytetarët e Tiranës, që në zgjedhjet e 21 qershorit të këtij viti i dhanë besim të madh, tej pritshmërive. Gjithashtu i takon të kthejë një “borxh” që i ka Edi Ramës. Këtë nuk mund ta bëjë vetëm duke i qëndruar nga pas, por të drejtojë mirë punët në bashki. Sepse hipotetikisht, nëse ndodh një qeverisje e mirë lokale për kryeqytetin në 2-vjeçarin e parë të Veliajt, mund të jetë një bonus goxha i madh për Edi Ramën në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sepse qarku Tiranë nxjerr jo pak, por 32 deputetë. Në këtë linjë, mirëqeverisja e Veliajt në bashki do të thotë vota më shumë për PS-në në zgjedhjet e vitit 2017. Gjasat janë që Rama nuk do të durojë gjatë për të kërkuar mbështetjen dhe nderin bashkë. Që në të gjithë rastet nuk mbetet ai miqësor, por bashkëpunimi për të qeverisur sa më gjatë, njëri bashkinë më të madhe në vend dhe tjetri qeverinë. Gjesti i parë, ai i rregullimit të sahatit të Tiranës ishte domethënës, për të treguar sa tashmë nis një tjetër kohë. Por matësi më i mirë nuk do të jetë imazhi, por puna, ndryshe koha vjen kundër, sepse pritshmëritë janë të mëdha për ndryshimin jo vetëm të qytetit të Tiranës, por edhe të rrethinave. Të qeverisësh një bashki si ajo e kryeqytetit është shumë më ndryshe se të drejtosh një nga 19 ministritë. Veliaj e di mirë, Rama gjithashtu. Duhet marrë në konsideratë edhe fakti që situata financiare nuk është aspak e mirë. Çka nënkupton se qeveria qendrore nuk mund të lëshojë para pa fund për atë lokale, për më shumë, edhe nëse pushteti qendror do japë mbështetje financiare, Bashkia e Tiranës nuk mund të privilegjohet nga të tjerat. Vendi është në pikë të hallit me borxhin e lartë dhe disa tregues jo të mirë në grumbullimin e taksave apo edhe problemet gjithnjë e më madhore në dogana, vende ku kryesisht janë burimi më i madh i mbledhjes së të ardhurave. Kjo nënkupton se Veliajt dhe stafit të tij drejtues dhe në bazë do u duhet të mendojnë si të tërheqin fonde në forma të tjera, por baza kryesore mbetet vjelja e taksave në përqindje sa më të lartë dhe mirëmenaxhimi i tyre.
Premtimet dhe qytetarët
Përgjatë fushatës elektorale Veliaj u pa gjithnjë mëngëpërveshur dhe me bllok në duar. Dëgjues i mirë, artikulues i kujdesshëm, por që të gjitha ngjanin në favor të fushatës dhe synimi mbeste gjithnjë fitorja në zgjedhje. Ajo periudhë ka kaluar, por ato blloqe me shënime, me premtime e dëgjesa tashmë duhet të merren në konsideratë. “Jam i vetëdijshëm, ashtu siç jeni të vetëdijshëm të gjithë, që pritshmëritë janë shumë të mëdha dhe i falënderoj qytetarët për këtë, sepse ky është realisht vlerësimi më i lartë që mund të presë kushdo që mban një post publik për të cilin qytetarët kanë dhënë mbështetjen me votën e tyre. Dhe padyshim që unë dhe skuadra që do të drejtojë Bashkinë e Tiranës do të punojë me të gjitha mundësitë, energjitë e talentin për të përmbushur të gjitha këto pritshmëri të qytetit tone”. Kjo është një nga frazat hyrëse të fjalës së Veliajt, pak minuta pasi u betua si kryebashkiak i ri. Ndër më kryesoret mbeten investimet infrastrukturore, ku ndërtimi i Unazës së Madhe është prioritet, gjithashtu shërbimet e tjera komunitare që lidhen me pastrimin apo gjelbërimin do të jenë përditshmërisht të prekshme. Nëse nuk ndodh ndryshimi, padyshim që zhgënjimi do të ndihet që në momentet e para. Sepse edhe shigjetimi do të jetë i drejtpërdrejtë, pasi Bashkia e ka një emër të ri dhe drejtues. Gjithashtu, justifikimi për mosrealizmin e premtimeve nuk do të ketë vend. Veliaj ndihet mirë nga të dyja anët. Mbështetjen e qeverisë qendrore e ka, numrat në Këshillin Bashkiak për të kaluar projektet dhe buxhetin nuk mungojnë, madje janë të shumtë. Për të luajtur rolin e bashkëqeverisjes brenda “shtëpisë se vet” nevojitet edhe një bashkëpunim me LSI-në dhe ndarja e pushteteve, përfshi edhe vendet e punës. Por qytetarët nuk duan të bëjnë llogari të holla pushteti, gati në unison kërkojnë punën konkrete. “Integrimi i territorit të ri është veç njëra nga sfidat e mëdha, kurse zhvillimi i qëndrueshëm i Tiranës është kryesfida jonë. Tirana ka nevojë për një model zhvillimi që shfrytëzon asetet natyrore, turistike, bujqësore, ekonomike, kulturore, njerëzore e infrastrukturore në funksion të rritjes ekonomike, për më shumë punësim, të ardhura për bashkinë dhe një nivel më të lartë jetese për këdo që ka zgjedhur të jetojë në Tiranë! Por, gjithmonë duke mbrojtur mjedisin e duke garantuar cilësinë e ajrit dhe reduktimin e ndotjes. Shkurt, Tiranës i nevojitet një model i qëndrueshëm zhvillimi”. Kështu e përmblodhi në fjalën e tij zhvillimin e kryeqytetit në katër vitet e ardhshme. Paçka se nuk është ndalur në hollësi, kryeqyteti në mos zhvillim, të paktën kërkon që të ketë sa më pak zullume, që për fat të keq ndër vitet e shkuara nuk i ka munguar. Pika kryesore mbeten ndërtimet pa kriter. Betonizimi është mjaft i madh dhe në fushatë Veliaj premtoi një moratorium për ndërtimet, duke shpjeguar se nuk do të jepen leje ndërtimi për pallate, duke argumentuar se përderisa ka shumë apartamente të pashitura, nuk ka sens që të vijojnë në dhënien e lejeve të reja. Gjithashtu premtoi për një rishikim të planit rregullues dhe mbi të gjitha, shtimin e hapësirave publike. “Nga tani, Bashkia e Tiranës do të ketë një model të ri qeverisjeje, i cili bazohet mbi një parim të thjeshtë: me qytetarin, për qytetarin. Bashkia do të punojë për qytetarët dhe qytetarët do të jenë aksionerë dhe partnerë në çdo hap të punës sonë. Arsyeja për këtë është fare e thjeshtë. Nuk ka asnjë rrugë tjetër për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet sot Tirana”, – tha Veliaj. Dhe është koha që zëri qytetar është masiv kur bëhet fjalë për çështjen e ndërtimeve, ku kryeqyteti është kthyer gati në një vend mbytës nga pallatet shumëkatëshe dhe betonizimi .
Trampolina radhës?
Për Veliajn, në vitin 2013 nuk kishte rëndësi tjetër më të madhe sesa të përfshihej në listat e PS-së si deputet i kësaj force politike. Kaq “vend” donte, pasi hapësirën tjetër të protagonizmit publik e politik e krijoi vetë. Një nga opozitarët e artikuluar të asaj periudhe, Veliaj dalëngadalë e gjeti vendin e tij, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk e la pa i dhënë një mundësi në kabinetin qeveritar. Për të u përzgjodh një ministri jo e “dorës së parë”, kur i dha atë të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Por shpejt nisi të shfaqej gjithnjë e më shumë në lajme që fillonin që nga investimet në disa shkolla profesionale, rishikimin e listave të personave që merrnin përkrahje sociale apo trajtoheshin si individë me aftësi të kufizuara, gjithashtu u punua shumë edhe për reformën në pensione. Disa projekte që u bënë mjaft shpejt, aq sa edhe kundërshtarët e tij brenda partisë nuk gjenin më shkak për të thënë që në atë post është se “e do shefi”. Çdo punë që dilte nga kjo ministri nuk mund të kalonte pa u reklamuar mirë dhe dha efekt pozitiv duke e renditur ndër ministrat me kredite të mira në qeverisje. Por edhe Veliaj ka ceduar në disa çështje, sidomos aty ku ka edhe armën e tij më të fortë, imazhin dhe perceptimin publik. Ndoshta nëse do të donte të kthente pas ndonjë gjë, me siguri do të ishte ajo e “dy dasmave” për një martesë. Pompoziteti i një ceremonie dasme të bërë fillimisht në Kalanë e Gjirokastrës dhe më pas edhe në Pezë, nuk la shije të mirë në opinionin publik. Ato mbesin gjeste të së kaluarës, pasi tashmë Erion Veliaj është kryebashkiaku i ri i Tiranës. Dhe nuk është rastësi se nga dyert e kësaj bashkie kanë dalë individë që morën partinë dhe më pas provuan edhe drejtimin e qeverisë. Për të shkuar deri tek partia, fillimisht duhen lënë gjurmë pune konkrete, më pas edhe koha…