Kryeministri Edi Rama ka paraqitur sot një album fotografik, ku vihen re transformimet e kryera në qendrën e qytezëz së Shijakut.
“Hyrja e re dhe sheshi rrënjësisht i transformuar përmes programit kombëtar të Rilindjes Urbane, në një qytezë të braktisur në jetën e vet për vite të tëra, që sot është një bashki e re në rrugën e ndryshimit të shumëpritur” – shkruan Rama.
Një komentues i ekzaltuar nga një urëz prej druri shkruan: “Uau, urë si në Venecia”.
Demokracia, mes lokaleve të shumta e kisokave që solli në fillim të viteve ’90, bëri që një prej tyre të mbante emrin Shijaksburg, diku në hyrje të stacionit të fundit të Tiranës së Re.
Kështu dukej edhe qendra e Shijakut sot, si një Shijaksburg i vogël…