Duhej të ishte dita ideale për të reklamuar punën e qeverisë.
Gjithçka shkëlqente në Pallatin e Kongreseve, ku ishin mbledhur mijëra forca policore, të veshur pastër e bukur.
Kryeministri Edi Rama do e deklaronte thuajse të fituar luftën ndaj drogës.
Po të mos ishte një detaj: ambasadori amerikan deklaroi pak pas tij se të gjithë palët janë njësoj, si në opozitë, edhe në pushtet.
Të gjithë njësoj: kjo është fjalia që e gjen më shpesh në rrjetet sociale këto orë, pas përplasjes tek Parku i Liqenit.
Strazimiri mban pistoletë, po ‘trimat’ e së majtës a nuk e kanë përdorur atë? Veliaj po dëmton parkun, por a nuk e ka bërë edhe Lulzim Basha diçka të tillë? Ndriçim Babasi apo Tan Hardhia?
Megjithëse palët po përpiqen që ta paraqesin veten si ‘engjëj’ përballë ‘djajve’, sërish në rrjetet sociale ka mbetur thuajse e përhershme shprehja se të gjithë janë njësoj.
Si për të shtuar akoma më shumë zjarr mbi këtë debat, Bujar Kapexhiu sjell edhe një karikaturë, ku duket kryeministri Edi Rama teksa riciklon disa prej nismave të qeverisë së Sali Berishës.