Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Qeveria i kalon bashkisë Parkun Rinia për parkingun

$
0
0

parku riniaQeveria vendosi dje t’i rikthejë nën pronësi Bashkisë së Tiranës një pronë prej rreth 28 mijë metrash katrorë, për të ndërtuar parkingun nëntokësor. Parkimi pranë Parkut Rinia është kundërshtuar prej opozitës

Qeveria ka vendosur t’i kalojë nën pronësi Bashkisë së Tiranës një pronë prej rreth 28 mijë metrash katrorë, në qendër të kryeqytetit, për të ndërtuar parkingun nëntokësor. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave.

Me këtë vendim, tashmë i hapet rrugë bashkisë së kryeqytetit për të ndërtuar parkingun nëntokësor te Parku Rinia. Parku Rinia ishte hequr nga pronësia e bashkisë në vitin 2009, kur Tirana qeverisej nga Edi Rama dhe kryeministri Sali Berisha vendosi t’i hiqte qeverisjen mbi këtë pronë.

Dje, qeveria shpalli se kalonte në “përdorim të Bashkisë Tiranë, të pronës me nr. 619, pasuria 7/187, të ndodhur në zonën kadastrale 8380, me sipërfaqe 28 897 (njëzet e tetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë) m2, për Njësinë Administrative Tiranë, për ndërtimin e një parkimi nëntokësor, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi”.

Prona e cituar në këtë vendim është Parku Rinia dhe kjo i hap dritën jeshile bashkisë për të filluar procedurat për parkimin, i cili është kontestuar ashpër dhe pritet të sjellë përplasje të reja.

Opozita dhe këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës e kanë akuzuar kreun e kësaj të fundit se po synon betonizimin e parkut.

Ndërkohë, paralelisht me protestat për të ndaluar ndërtimin e një këndi lojërash në parkun e Liqenit, ambientalistët protestuan edhe për parkimin nëntokësor në qendër të qytetit.

Si përfaqësues i PD-së, Jamarbër Malltezi paraqiti një kërkesë për referendum në KQZ, ku do kërkohej votimi i këtyre planeve, por kërkesa u rrëzua.

Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës ka mbrojtur projektet.

“Ne duhet të kemi paralelisht me punën në shesh, edhe punën te Parku Rinia për një parkim nëntokësor, i cili pas investimit kthehet në shesh dhe ka vetëm një hyrje dhe dalje për makinat”, tha kreu i bashkisë Erion Veliaj, gjatë mbledhjes në këshillin bashkiak, ku kaloi propozimi.

Bashkia pretendon se parku nuk preket dhe mbetet park, ndërsa parkimi nëntokësor aty dhe në disa pika të tjera do të lehtësojë qarkullimin në qytet.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143