Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi dje në një prononcim për mediat, që opozita të vihet në krye të protestave, pasi sipas saj, Shqipëria ndodhet në udhëkryq të rrezikshëm.
Të njëjtën kërkesë ajo përcolli edhe në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat.
Por, ky qëndrim ka marrë një përgjigje të menjëhershme të Bashës, i cili në mbledhjen e grupit demokrat mësohet të jetë shprehur se protesta ka në gjithë vendin, duke shpotitur edhe deputetë që nuk kanë dalë ende në terren për të motivuar njerëzit që të ngrihen.
“Ajo (Shqipëria), rrezikon të rrokulliset në qoftë se nuk do të ketë një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike në Shqipëri. Informacioni i fundit që vjen nga Holanda është vetëm shprehje e një realiteti që bërtet këtu në Shqipëri, për zbrazjen në Shqipëri, për një arsye shumë të thjeshtë, që qytetarët kanë humbur shpresën dhe perspektivën në vendin e tyre. Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur. Shqipëria nuk është një vend për t’u humbur. Ne nuk kemi tepër asnjë shqiptar, por sigurisht arsyeja është te qeveria, e cila është e kompromentuar me krimin dhe ku korrupsioni ka arritur nivelet më alarmante. Ashtu siç thuhet dhe në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, ku korrupsioni ka kapur të gjitha degët e qeverisë. Ndërkohë që varfëria është 4-fishuar, ndërsa mjerimi, varfëria ekstreme është 3-fishuar. Më keq nuk ka qenë asnjëherë në këto 25 vitet e fundit…”, -tha Topalli.
Për këtë arsye, ajo kërkoi ndërhyrjen e opozitës.
“Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje, që opozita të dalë në ballë dhe t’u prijë qytetarëve, për të dorëzuar këtë qeveri dhe për të krijuar një realitet tjetër. Duke larguar të korruptuarit. Duke larguar krimin nga politika dhe pozicionet kyçe që kanë në administratë dhe duke pasur një vizion të qartë, për të ndihmuar qytetarët që ata të zhvillojnë jetën e tyre, projektet e tyre, të ardhmen e tyre dhe të rrisin fëmijët e tyre në vendin e tyre…”, -tha ajo.
Topalli theksoi se për sa më sipër, ajo i kishte kërkuar Bashës edhe në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat që PD-ja të fillojë protestat.
“Ja kam kërkuar dhe do të vazhdoj t’ia kërkoj vazhdimisht. Unë nuk di se ka një moment më të vështirë për Shqipërinë se sa kjo që po jetojmë sot. Zhvillimet e fundit me kërcënimet që i janë bërë kandidatëve për Rektor ka qenë një tronditje dhe një ngritje e frikës dhe alarmit në ato nivele dhe situata që nuk janë imagjinuar kurrë gjatë këtyre 25 viteve. Çfarë do të presim. Në qoftë se krimi vendos dhe në universitete, ashtu siç krimi është ulur në parlament, apo vendosur në zyrat e policisë, apo në zyra të larta të tjera të shtetit, ky vend ka marrë fund. Dhe rrokullisja e asaj është e pashmangshme. Për të shpëtuar nga kjo rrokullisje, për të mos shkuar në zgrip të greminës, ku në fakt po vrapojmë, duhet një zgjidhje e menjëhershme. Rruga është kombinimi i protestave. Kombinimi i protestave në çdo qytet, me betejën parlamentare për çështje kaq madhore. Çështja e krimit dhe lidhja e krimit me politikën, median, biznesin është alarm më i madh. Realitet, i cili nuk ekziston në asnjë vend të Evropës”, -tha Topalli, duke shtuar se për protestat ajo kishte marrë mbështetjen e Bashës.
E njëjta çështje është ngritur edhe dje në grup, ndërsa Basha mësohet të jetë përgjigjur se sa deputetë nga grupi parlamentar i motivojnë njerëzit për t’u ngritur dhe sa prej tyre kanë zbritur në terren.
Basha mësohet të jetë shprehur gjithashtu se protesta ka në gjithë vendin dhe se njerëzit nuk ngrihen në protesta me bilbila, duke kritikuar në këtë rast deputetët.
Lexoni më poshtë debatin e zbardhur nga GSH.
DEBATET ME DYER TË MBYLLURA NË PD
LULZIM BASHA: Të nderuar deputetë! Ndodhemi para një situate të paprecedentë që ka të bëjë me futjen e krimit në universitetet tona. Një gjë e tillë është e pazakontë. Ne e kemi denoncuar edhe më parë Emiljano Shullazin, ndërkohë që duhet ta vazhdojmë betejën kundër krimit. Nesër (sot) është seanca parlamentare dhe jam i hapur për çdo mendim tuajin, me qëllim që të përcaktojmë qëndrimin tonë.
SALI BERISHA: Ashtu siç e tha kryetari, situata është e paprecedentë dhe ne duhet të vazhdojmë me denoncimin ndaj krimin. Kemi dhënë prova dhe prova të tjera duhet t’i publikojmë ne seancë në parlament. Nuk mund ta lëmë krimin të kapë edhe universitetet dhe të kërcënohen edhe rektorët. Detyra jonë si opozitë është denoncimi me fakte dhe duhet ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Shullazi është vërtet në burg por beteja jonë si opozitë kundër krimit dhe kapjes së pushtetit nuk duhet të ndalë për asnjë moment.
JOZEFINA TOPALLI (I drejtohet Lulzim Bashës): Z.kryetar, unë kam një shqetësim tjetër. Dua të ngre edhe një herë shqetësimin e aferës së CEZ-it. A mund të na shpjegoni këtu se përse nuk është kërkuar më parë hetim për çështjen e aferës së CEZ-it? Çfarë ju ka penguar ta kërkoni këtë hetim nëntë muaj më parë?
LULZIM BASHA: Nuk është kështu siç thoni ju. Partia Demokratike e ka ngritur si çështje aferën e CEZ-it dhe nëse kujtoheni mirë, kjo çështje është ndërkombëtarizuar po prej denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike. Ka fakte të reja nga partnerët tanë dhe prandaj është kërkuar nisma e një hetimi të tillë. Kjo është situatë e re. Ndaj nuk jeni e saktë, pasi ne e kemi denoncuar gjithmonë aferën e CEZ-it dhe në mënyrë permanente.
JOZEFINA TOPALLI: Nuk isha në dijeni të kësaj që thoni…
LULZIM BASHA: Kjo është situate…
JOZEFINA TOPALLI: Nuk e kam të qartë se pse u deshën nëntë muaj që të arrijmë në këtë përfundim se u dashka hetim për CEZ-in…Çfarë fshihet pas kësaj heshtjeje nëntëmujore? Këtë nuk e kuptoj.
LULZIM BASHA: Gjatë gjithë kohës kemi mbledhur dhe e kemi denoncuar këtë aferë në bazë të fakteve dhe provave.
JOZEFINA TOPALLI: Po, por gjithmonë, pasi e ka denoncuar Berisha. Unë vërej se ju denonconi pasi denoncon i pari z.Berisha. Ndaj dua të di, pse denoncon z.Berisha gjithmonë i pari dhe jo ju që jeni kryetar i partisë? Kjo ndodhi edhe së fundmi me rastin e Emiljano Shullazit.
LULZIM BASHA: Nuk është e vërtetë kjo që thua. I vetmi njeri që është kërcënuar nga Shullazi jam unë. Ne kemi strategjinë tonë me faktorë të ndryshëm të veprimit: kush flet, si do flasë dhe kur do flasë.
JOZEFINA TOPALLI: Presupozohet që ti do të jesh kryeministër i ardhshëm dhe duhet t’u dalësh për zot qëndrimeve që i takojnë një kryetari partie. Ndaj ne duhet të ngremë njerëzit në protesta, gjendja në vend është alarmante. Shqiptarët po ikin nga vendi jashtë shtetit nga varfëria. Vendi po bëhet çdo ditë e më i pasigurt, ndaj ne si opozitë duhet të ngremë shqiptarët në këmbë. Kjo është detyra jonë përballë një situate të tillë. Duhet një opozitë e fortë, dhe jo e dobët e me reagime të vonuara.
LULZIM BASHA: Protestat kanë filluar qëkur dhe janë shpërndarë në të gjithë vendin. Protesta po bëhen në çdo qytet të Shqipërisë. Por dua t’ju kujtoj se njerëzit nuk ngrihen në protesta me bilbila. Më thoni sa veta nga ju kanë dalë në terren, sa deputetë të grupit tonë parlamentar kanë dalë të motivojnë njerëzit për protesta? Më thoni, kush ka dalë nga ju? Por unë ju them se protestat po bëhen dhe do të bëhen edhe në ditët në vijim.
SALI BERISHA: Unë do t’u kujtoja të gjithë ish-ministrave në bazë të fushave përkatëse që ata kanë pasur gjatë qeverisjes sonë, që të bëhen pjesë e komisioneve hetimore dhe asnjëri të mos i bëjë bisht punës, por të angazhohet secili në bazë të asaj çfarë kanë mbuluar më parë. Kjo është e rëndësishme.