Gjatë seancës parlamentare të ditës së sotme Sali Berisha ka folur sërish për Emiliano Shullazin. Këtë herë ish-kryeministri ka treguar një sms, që sipas tij Shullazi i ka dërguar nga burgu Tahirit.
Sali Berisha bëri thirrje për prokurorinë që të kontrollonte telefonin personal të Shullazit, pasi siç i kishte treguar një gardian i burgut 302, Shullazi i ka dërguar sms Tahirit që ai të përgënjeshtrojë Ramën.
Berisha e lexoi vetë mesazhin e personit anonim që ai e quajti “Gardiani dixhital”.
Ja teksti sipas deputetit demokrat: “Gardiani dixhital: Jam roje te paraburgimi i Emiljano Shullazit, ju garantoj se mesazhi i Saimir Tahirit për të përgënjeshtruar Edi Ramën ia ka dërguar direkt Emiljano Shullazi, i cili ka dyshimet më të mëdha se ia ka bërë policia i cili nuk beson se ajo ishte një grackë e prokurorisë siç e paraqesin mediat, pasi kërcënoi saje qorrin se do të nxirrte gjithçka për të”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha iu drejtua vetë Kryeprokurorit Llalla që të kontrollonte të gjitha bisedat telefonike apo elektronike të Shullazit.
“I bëj thirrje prokurorit, të sekuestrojë të gjithë trafikun e thirrjeve dhe mesazheve të komunikimit të Emiljano Shullazit, të gardianëve, të Saje Qorrit dhe Emil Shullazit. Me këtë rast, Prokuroria do të gjejë një nga çelësat e të vërtetave mbi Shullazin.
Rama tha këtu se kemi kërkuar përgjimin e tij, por nuk mund të binte Prokuroria në kurthin e tij. Në fakt Rama ra në kurthin e Prokurorisë dhe shërbimit sekret me rrëzimin e kërkesës. A e pyetët veten si ka mundësi që Saje Qorri të përgënjeshtrojë në mënyrë flagrante Edi Ramën, ku tha se Shullazin e arrestoi Policia”, përfundoi Berisha.