Asambleja Kombëtare duket se u ka dhënë fund hamendësimeve se çdo bëjnë tashmë dy deputetët “rebelë”, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.
Një ditë pas saj, ata duket se e kanë ndarë mendjen, që të shohin një zgjedhje tjetër, ndaj dhe kanë vijuar dje në një takim në Peshkopi, më të vendosur, turin e tyre të prezantimit të platformës “Shqipëria mbi Partinë”.
Gjatë këtij takimi, Ben Blushi theksoi se pas konsultimeve me shqiptarët, ka ardhur koha për lëvizje të re politike, që do të ndryshojë jetën e shqiptarëve.
“I keni parë ministrat të vijnë të flasin këtu me ju, të ulen të bisedojnë apo ndonjë deputet të tyre? Nuk e bëjnë këtë gjë, për këta rëndësi ka ndriçimi në mes të Tiranës, pllaka majolike në Durrës, kulla në Korçë, stadiumi në Elbasan. Cila parti i mbron të varfrit? I mbron Rilindja? Unë them që jo, Rilindja është vetëm me të pasurit, nëse është edhe me ta. I mbronte PD? Sigurisht që jo, sepse edhe PD-ja këtë varfëri mbolli, që Rilindja po e vazhdon dhe po e korr. Rilindja s’bën asnjë punë, sepse nuk merret me njerëzit. A keni dëgjuar Edi Ramën të rrijë me një të varfër? A e keni dëgjuar, e keni parë me kë rri? Vetëm me njerëzit e pasur, i ka shokët vetëm të pasur”, -tha Blushi.
Sakaq, deputetja Hafizi gjatë fjalës së saj, tha se Dibra ka burra dhe gra të zgjuar, që do e çojnë vendin në drejtimin e duhur dhe jo në udhë pa krye, sikundër po ecën Rilindja.
“Këtë qeverisje nuk e meriton Shqipëria, nuk e meritojnë shqiptarët. Kjo, jo politikë për qytetarët. E keni parë dje me Partinë Demokratike dhe sot me Rilindjen. Ne besojmë se kjo Shqipëri meriton një politikë më të mirë”, -deklaroi Hafizi.