Biznesmeni i njohur, Nikollaq Neranxi, u la i lirë mesnatën e djeshme, rreth 6 orë pasi ishte shoqëruar nga Policia e Tiranës. Lirimi i tij erdhi pasi Prokuroria doli kundër Policisë për arrestimin e tij, duke vendosur që të procedohet në gjendje të lirë me akuzën e kundërshtimit të punonjësit të rendit publik.
“Pas 6 orë ndalimi të padrejtë dhe absurd nga Policia, tashmë jam lënë i lirë. Këtë ngjarje të shëmtuar do kemi kohë ta analizojmë në ditët në vijim. Për momentin dua t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë. Jam shumë i prekur nga reagimi juaj. Jam me fat që kam kaq shumë miq dhe dashamirës”, tha Nikollaq Neranxi pas lirimit në një postim në profilin e tij në “Facebook”
Policia e Tiranës shoqëroi pasditen e së shtunës biznesmenin Nikollaq Neranxi, me pretendimin se kishte kundërshtuar e fyer efektivët e rendit.
Rreth orës 17:30, të dy ditëve më parë, një furgon i Njësisë “Shqiponja” shoqëroi Neranxin nga ambientet e kompanisë së tij, që ndodhet në autostradën Tiranë– Durrës, drejt Komisariatit nr.6, në Kombinat.
Fillimisht, në një njoftim zyrtar, Policia e kryeqytetit tha se rreth orës 16:10 e kishte shpallur në kërkim biznesmenin dhe po punohej për gjetjen e shoqërimin e tij.
Ndërsa një orë më vonë, Neranxi i është dorëzuar vetë Policisë për të dhënë shpjegime për incidentin e pretenduar në rrugën dytësore të autostradës.
Momenti i shoqërimit të Neranxit nga Policia, teksa forcat “Shqiponja” po e hipnin në furgon, është shoqëruar me thirrjet e punonjësve të tij, “Niko, Niko…”, të cilët edhe e duartrokisnin.
Policia tha të shtunën se, rreth orës 16:10, shërbimet e Komisariatit nr.6, të planizuar me shërbim në rrugën dytësore të autostradës Tiranë Durrës, kanë konstatuar disa mjete të parkuara në mënyrë të parregullt.
“Në kohën që efektivët kanë nisur të vendosin gjoba, janë kundërshtuar e fyer nga biznesmeni Neranxi dhe menjëherë janë marrë masa për shoqërimin e tij, por Policia është penguar nga dy roje, të cilët u shoqëruan”, thuhej në njoftimin e Policisë të shtunën./Dritare.net