Zëvendësministri i Financave, Erjon Luçi doli në një konferencë të paralajmëruar, por tepër të shkurtër për shtyp gjatë mëngjesit të së shtunës, në të cilën ka sqaruar mosekzistencën e një drafti për ndryshimin e skemës së tatimit mbi të ardhurat personale, i cili është bërë objekt debatesh ditëve të fundit në media.
Por, edhe pse deklaroi se reforma për politikën e taksave tashmë ka përfunduar në përputhje me sugjerimet e FMN-së dhe me programin qeverisës të koalicionit të majtë, që synim parësor tashmë do të ketë luftën kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, teksa iu përgjigj një pyetjeje të gazetarëve të pranishëm ai tha se “ekziston një draft në fazë paraprake që po shqyrtohet vetëm në nivel teknik, e jo në nivel politik apo vendimmarrës”.
“Duke marrë shkas nga debati mbi tatimin mbi të ardhurat personale, duam të sqarojmë se nuk ka për të pasur ndryshime në këtë skemë, madje nuk ka asnjë plan për ndryshimin e tyre. Reforma për politikën e taksave ka përfunduar në përputhje me programin qeverisës. Tashmë mbetet për t’u kryer lufta kundër evazionit fiskal dhe informalitetit. Paketa e masave për aksionin e shpallur edhe nga kryeministri Rama do të bëhet e ditur shumë shpejt. Sa i përket draftit të qarkulluar ditëve të fundit, që ka shkaktuar shumë debat, nuk ka një të tillë. Ai draft është në fazë paraprake, që po shqyrtohet vetëm në nivel teknik, por aspak në nivel politik apo vendimmarrës”, u shpreh Erjon Luçi, zv.ministër i Financave./TCH