Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Rivaliteti mes aleatëve: Ligji i LSI votohet dy herë

$
0
0

seancaKuvendi ka miratuar dje ligjin “Për vullnetarizmin” të paraqitur nga dy deputetet e LSI-së, Mehmetaj dhe Caka. Gjatë votimit, në parim nuk është arritur kuorumi i nevojshëm, çka ka bërë që Meta të deklaronte rrëzimin e tij. Me ndërhyrjen e Ruçit u rivotua

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje pas më shumë se 6 muajsh nga paraqitja e tij, ligjin “Për vullnetarizmin”, i cili është propozuar nga dy deputetet e LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka.

Ligji në fjalë synon të nxisë dhe rregullojë aktivizimin e qytetarëve në punë komunitare.

Por votimi duket se ka shfaqur edhe të gjitha rezervat dhe rivalitetin që patën dy partitë kryesore që në momentet e para të hartimit të këtij projektligji.

Kjo pasi mazhorancës i është dashur dje ta votojë dy herë në këtë nismë, për shkak se herën e parë ajo nuk arriti kuorumin e nevojshëm për të qenë një votim i vlefshëm.

Kështu, fillimisht kryetari i Kuvendit, Ilir Meta hapi votimin për mbajtjen e prezencës, nga ku rezultoi se 75 deputetë ishin në sallë.

Menjëherë pas saj kryeparlamentari hodhi në votim në parim projektligjin me titullin e tij fillestar “Për punën vullnetare”.

Por në këtë moment ai është hasur me një të papritur, pasi në tabelën elektronike të votimit kanë rezultuar se kishin votuar 70 deputetë pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Pasi është konsultuar me asistentët e vet, ai ka deklaruar se nisma në fjalë rrëzohej, pasi nuk kishin marrë pjesë në votim më shumë se gjysma e gjithë anëtarëve të Kuvendit.

“Ligji nuk miratohet se nuk ishte kuorumi i mjaftueshëm, vetëm 70 deputetë morën pjesë në votim. Nuk ishte kuorumi. Ju lutem ishin 70 deputetë të pranishëm në elektronik pavarësisht se në sallë ishin 76. 70 deputetë votuan pro ndërsa 6 deputetë nuk morën pjesë në votim”, – u shpreh Meta, duke shfaqur hapur në këtë deklaratë pakënaqësinë, që deputetët aleatë e kishin “lënë në baltë” në këtë nismë ligjore të LSI-së.

Por kjo situatë duket se i ka gjetur të papërgatitur edhe drejtuesit e grupit socialistë, të cilët kanë deklaruar nga vendi se ishte faji i teknikës, dhe se disa deputetë nuk kishin votuar dot për shkak se nuk i kishte funksionuar aparati i votimit elektronik.

“Nuk është faji i teknikës kam përshtypjen”, -u përgjigj Meta.

Ndërkohë që ka ndërhyrë edhe kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili për të mos çuar edhe më tej një konflikt me aleatin kryesor në qeverisje, ka kërkuar rivotim, duke këmbëngulur se nuk kishte funksionuar sistemi elektronik i votimit për disa deputetë socialistë.

“Ju lutem deputetë janë 75 në sallë, nuk u funksionoi elektronika, të përsëritet votimi, ose atyre që nuk u punon elektronika të votojnë me kartonë”, -tha Ruçi.

E pas këtij insistimi, kryetari i Kuvendit ka pranuar që votimin ta përsërisë edhe një herë. Por edhe herën e dytë projektligji ka marrë vetëm 72 vota pro dhe 1 abstenim në parim, ndërsa është miratuar më pas edhe në tërësi me 75 vota pro.

Por pavarësisht se socialistët e konsideruan votimin e tij si problem të teknikës së Kuvendit, në fakt mësohet se mes dy forcave ka pasur për këtë projektligj një lloj rivaliteti të heshtur.

Zanafilla nis që nga muaji i tetorit të shkuar, kur kryeministri Edi Rama dhe ministri i MSR-së, Blendi Klosi do të shpallnin nismën për hartimin e një projektligji për vullnetarizmin.

Por nuk kaluan shumë kohë dhe LSI me anë të dy deputeteve të tij, Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka paraqitën zyrtarisht në Kuvend projektligjin “Për punën vullnetare”.

Veprim ky që duket se nuk u pëlqye shumë në kampin socialist, të cilët gjithsesi pranuan që sugjerimet e tyre t’i bënin mbi ligjin e LSI-së.

Dhe pas disa muajsh diskutimesh parlamentare, nisma mundi të kalojë dje në seancë plenare.

Por edhe pas miratimit të këtij drafti dje, duket se palët kanë pasur qëndrime të ndryshme për autorësinë.

Në njoftimin e MMSR-së, thuhet se u miratua ligji, i cili është “hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, ndërkohë që Kuvendi në njoftimin e vet bënte të ditur se nisma ishte e dy deputeteve Mehmeti dhe Caka.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143