Policia e Tiranës ka arrestuar në kushtet e flagrancës gjyqtarin Ibrahim Hoxha dhe të birin, Ledionin.
Ata u kapën në momentin që po merrnin paratë për një çështje që gjyqtari e kishte në proces.
Prangosja e gjyqtarit dhe të birit ka ndodhur rreth orës 22:30 të ditës së djeshme, në Tiranë.
Në informacionet paraprake të policisë së antikrimit ekonomiko-financiar dyshohet se bëhet fjalë për një aferë korruptive, për një çështje që gjyqtari Hoxha e kishte në shqyrtim.
I biri është futur në ambientet e një lokali për të marrë një shumë të konsideruar të hollash (dyshohet rreth 6 milionë lekë të rinj) dhe në atë kohë ka ndërhyrë policia, duke arrestuar në kushtet e flagrancës edhe gjyqtarin.
Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, dy vjet më parë i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ibrahim Hoxha.
Sipas Naços, gjyqtari Hoxha ka tejkaluar kompetencat në çështjen që kishte të bënte me Paro Laçin, duke pezulluar ekstradimin e tij për qëllime hetimi.
Laçi është i njohur si një nga ish-aksionarët e Klubit të Futbollit “Partizani” dhe u arrestua me kërkesë të drejtësisë italiane, sipas të cilëve biznesmeni Laçi dyshohej se në vitin 1997 ishte përfshirë në veprimtari kriminale në këtë vend dhe madje është dënuar edhe me burg.
Por në atë kohë, Hoxha ia hodhi lehtë, pasi KLD me shumicë votash nuk pranoi që të merrej masë disiplinore për largim nga detyra të gjyqtarit Hoxha.
Ai vijonte të ishte pjesë e gjyqësorit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe shqyrtonte çështje të ndryshme me karakter penal.
Ndërkohë shumë media raportojnë se Ibrahim Hoxha ishte edhe gjyqtar për çështjen e 21 Janarit.
Ndërkohë nga Londra, gazetari Met Veliu, që së fundmi ka braktisur televizionin Top Channel, shkruan: “Ibrahim Hoxha u arrestua. Po “sekseri” tjeter nje deputet i famshem i opozitës, mik i Bimit kur do të arrestohet?”
Ibrahim Hoxha duket se ka qenë gjyqtari në çështjen e Veliut kundër portalit Lapsi.al.