Nuk është e zakontë të shohësh të tillë tituj në Top Channel, kanalin më të madh në Shqipëri.
Pas titullit me “zbythje të gjykatës” për protestën e kryebashkiakut Erion Veliaj, këtë herë TCH luan me diçka tjetër.
“Shukriu ‘nuk don me ik’”, thotë Top Channel, referuar kryebashkiakut të shkarkuar të Dibrës, Shukri Xhelili.
E folur dialektore e Xhelilit është përdorur për këtë titull.
Megjithatë, shqetësimi i Top Channel mbetet përçarja e të majtës në këtë qark.
Por sipas tyre, edhe e djathta nuk i ka punët mirë.
Sipas TCH, votimi në Dibër për një kryetar të ri bashkie do të jetë një test domethënës, një vit përpara zgjedhjeve politike të 2017-s.
Do të jetë një test për opozitën, e cila ndodhet në një moment delikat, sepse ka Degën e Dibrës në riorganizim dhe praktikisht demokratët atje janë pa kryetar.
TCh thekson se në zgjedhjet e fundit lokale demokratët dolën të përçarë dhe, për shkak të kandidimit të një të pakënaquri nga radhët e saj, i cili mori 2.000 vota, Partia Demokratike humbi zgjedhjet në Dibër.
Kjo do të thotë se demokratëve u duhet jo vetëm të riorganizohen, por edhe të bashkohen, një mision i vështirë në një moment të papritur.
Zgjedhjet në Dibër do të jenë një test për mazhorancën, e cila ndodhet në një moment të vështirë në zonë, për shkak të opinionit publik, i cili rëndon më shumë te socialistët, përfaqësues i të cilëve është Shukri Xhelili.
Me qetësi, por pa dashuri e ka trajtuar këtë situatë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ende nuk ka dërguar përfaqësues të saj në zonë për t’u bërë gati për zgjedhje.
Shukri Xhelili nuk kishte nevojë për një video, për të qenë i papëlqyer për LSI-në, e cila për shkak të tij dhe mbështetësit të tij kryesor, Ulsi Manja, disa muaj më parë bëri koalicion me PD-në për kryetarin e Këshillit të Qarkut.
Video e Xhelilit, ama, mund të ketë kështu një efekt pozitiv: largimi i tij mund të ribashkojë në Dibër të majtët e përçarë, raporton TCH.