Deputeti demokrat Genc Pollo i cilëson si të papranueshme mesazhet që ambasada amerikane nisi për deputetët para miratimit të reformës në drejtësi, duke theksuar se masat për të cilat flitej në ato tekste janë të rezervuara për terroristët dhe kriminelët
“Vota e deputetit përcaktohet në trekëndëshin interesi i zonës zgjedhore-linja e partisë-bindja vetjake. Këtë e kemi mësuar nga leximi i Letrave të Federalistit të Etërve Themelues të Amerikës e nga traktate të iluministëve europianë.
Të shtosh kërcënimin si kënd të katërt është fyese. Të kërcënosh me masa që rezervohen për terroristët e kriminelët është e papranueshme. Por edhe e padobishme e kontraproduktive.
Nuk ishte mjet që realizon qëllimin, siç edhe e tregoi akordi i të enjtes pasdite e votimi i të premtes pa gdhirë. Duke reaguar, ndoshta mbrojta dinjitetin e atyre që nuk mundnin a nuk donin të flisnin”,- thotë Pollo në një intervistë për gazetën “Panorama”.