Këto ditë janë të mbushura me spekulime në lidhje me mundësinë e krijimit të një qeverie teknike që do e çojë vendin në zgjedhje.
Spekulimet morën flakë dje, pas një takimi të kreut të Kuvendit, Ilir Meta me ish-presidentin Rexhep Meidani dhe ish-deputetin socialist, Koço Kokëdhima.
Panorama shkruan se emri i Meidanit përflitet si kandidat për kryeministër.
Sipas saj, në takimin e tyre janë bërë kalkulime për krijimin e një qeverie të re, që do të garantojë konsensusin dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme të pranuara nga të gjitha palët.
Të martën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët deklaroi se “mazhoranca po bën gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve” dhe për të shmangur këtë duhet një qeveri teknike.
“Po bëjnë gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të radhës. Kjo është një vijë ndarëse që nuk kalohet. Nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Kushti ynë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe mbetet qeveria teknike”, shtoi kreu i PD-së, i cili tha se qeveria teknike duhet ngritur sa më shpejt.
“Siguria kombëtare po kompromentohet nga narkotrafiku, rritet papunësia, bizneset mbyllen dhe vendi është në emergjencë. Insistojmë për një qeveri teknike një orë e më parë”.
Basha nuk sqaroi se si shkohet deri tek qeveria teknike.
Në këto kushte, dy partitë e mëdha e kanë mendjen tek aleati kyç, Ilir Meta.
I pyetur nga gazetarët nëse i beson Ilir Metës, kur dihet se konfliktet më të mëdha në zgjedhjet lokale, PD i pati me LSI, Basha tha: “Unë u besoj vetëm qytetarëve, asnjë force politike”.
Por Metës nuk i besojnë më as socialistët.
Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi thotë për Panoramën se LSI do të prishë koalicionin me PS.
Por ai e sheh këtë si shans për PS-në.
“Nga testimet rezulton se elektorati, ndryshe nga viti 2013, e quan jo humbje, por shans për fitore, prishjen e imponuar të koalicionit me LSI-në”.
“Ndërkombëtarët pritet të vijojnë ndikimin e tyre dhe më të fortë në zhvillimet politike shqiptare,” shton ai.