“Drejtësia shqiptare sot është leniniste, e korruptuar si ajo që e ka lindur; dhe përsëri leninistët duan të reformojnë drejtësinë me frymë leniniste. Por, ai që nuk e do drejtësinë, para së gjithash urren popullin e tij”.
Avokat Spartak Ngjela shfaqet pesimist për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri. Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Ngjela shprehet ndër të tjera se as Rama nuk ka shenja që të vendosë drejtësinë, megjithëse ai u votua pikërisht për këtë gjë. ”Ëhere have all the good men gone? – Ku kanë shkuar të gjithë njerëzit e mirë? … Pyet një këngë e famshme angleze. Ku pra? Pse nuk vendoset drejtësia në këtë vend?
Pse bëhet sikur e duan drejtësinë shoqërore, kur tani, në 25 vjet pas diktaturës, ende askush nuk ka më besim se mund të ketë drejtësi në vendin e tij? Ai pushtetar që nuk e do drejtësinë, urren pa dyshim popullin e vet; ai pushtetar ose politikan që nuk e do drejtësinë është i korruptuar, vjedhës dhe hajdut vlerash materiale të popullit të tij; ai pushtetar ose politikan që nuk e do drejtësinë është i kapur ligsht nga marrëzia e pushtetit, dhe është kundër historisë.
Këta kanë qenë të gjithë ata që kanë shpërbërë drejtësinë në Shqipëri; dhe i kanë lënë shqiptarët në endjen e tyre epike jashtë atdheut të tyre, ose që i kanë bërë që të mendojnë me trishtim mbijetësën e familjes së tyrë, jashtë…diku gjetkë, se këtu nuk ka as drejtësi, as punë…por ka vjedhje, abuzim dhe poshtërim të individit”, – shkruan ai.
Më tej, Ngjela nënvizon: “Punëtori është i poshtëruar, sepse nuk ka drejtësi; zgjedhjet manipulohen, se nuk ka drejtësi; pushtetari vjedh gjithë ditën, se nuk ka drejtësi; intelektuali përbuzet se nuk ka drejtësi të vendosë arsimin cilësor dhe të mos shiten diplomat ku mbështetet korrupsioni shtetëror. Gjithçka nuk funksionon normalisht, sepse të gjithë ata që kanë qënë në pushtet nuk e kanë dashur drejtësinë shoqërorë.
Kanë qënë të varfër dhe janë pasuruar me anë të krimit; dhe shqiptarët presin që këta vjedhës të vendosin drejtësinë kundër tyre. (!) Gjendja është e rëndë: Ëhere have all the good men gone? Pyet një këngë e famshme angleze, dhe pastaj kërkon një hero. Por a e patë këto ditë ‘heroin’ Sali Berisha se si fliste, si një palaço i nënshtruar përpara diktatorit të fundit shqiptar? Ishte tre muaj para pluralizmit…dhe ishte kundër tij.
Se kishte qënë komunist ekstremist, dhe kishte frikë. Dhe ja ku jemi. Në një gjendje të rëndë. Përsëri te frika nga drejtësia, e atyre që kanë abuzuar me pushtetin”. Kështu si duken punët, sipas Ngjelës, edhe Rama nuk ka shenja për të vendosur drejtësi.”… Edhe ky kryeministër, që njerëzit e votuan për drejtësi, nuk ka shenja se e do vendosjen e drejtësisë në Shqipëri… Drejtësia shqiptare sot është leniniste, e korruptuar si ajo që e ka lindur; dhe përsëri leninistët duan të reformojnë drejtësinë me frymë leniniste. Por, ai që nuk e do drejtësinë, para së gjithash urren popullin e tij.
Po populli, kështu do presë; do presë që të kthehen njërëzit e mirë që kanë ikur, apo do ta marrë vetë në dorë çeshtjen e drjtësisë dhe të mirëqënies shoqërore në Shqipëri. Unë kam bindje se do ta marrë vetë në dorë…sepse kjo gjendje s’bën gjë tjetër veçse e mban shoqërinë në errësirën e mjerimit”, – shkruan ai