Reforma në drejtësi dhe gjendja në përgjithësi e këtij sistemi, është kthyer në një tjetër mollë sherri mes kreut të shtetit, Bujar Nishani dhe shumicës së majtë.
Dy ditë më pare, Nishani do të deklaronte se reforma në drejtësi është në duart e militantëve politikë. Por, ndaj kësaj deklarate dje ka reaguar zëvendës-ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, i cili nuk nguron ta quajë Nishanin si militantin në krye të sistemit të drejtësisë.
Dhe për këtë, Isaraj i referohet pikërisht karrierës politike të Nishanit, si një nga drejtuesit më të lartë të PD-së para se të bëhej President.
Në raport me këtë karrierë, Isaraj shtron pyetjen se cili prej ekspertëve të reformës në drejtësi, të ofruar dhe mbikqyrur nga Kuvendi i Shqipërisë dhe partnerët ndërkombëtarë, gëzon një përqind të këtij militantizmi politik? “Asnjëri prej tyre. Opinioni publik është një termometër, me të cilin një President vazhdimisht duhet konsultuar.
Opinioni publik vendas dhe ndërkombëtar, njëzëri dhe pamëdyshje, kërkon drejtëpërdrejtë vetëm: ‘Reformë e thellë në drejtësi’ ! ‘Pastroni drejtësinë’ ! ‘Ata që abuzojnë dhe shkelin ligjin duhet të përballen me drejtësinë’ ! ‘Të ketë vijë ndarëse midis prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm me ata të korruptuar’ !
Tre vjet në krye të një sistemi drejtësie që lëngon nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria dhe nuk është rregjistruar asnjë akt presidencial apo nismë, qoftë edhe personale në përmirësimin e situatës alarmante”, – shkruajti Isaraj në faqen e tij në Facebook.
Më tej, ai i kujton Presidentit se, “është më mirë të udhëheqësh një orë me drejtësi, se të bësh adhurim dhe vetmohim si militant politik, për tre vjet. Krenohesh dhe ankohesh për atë që duhet të turpërohesh”.