Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në forumin ekonomik Gjermani-Shqipëri së bashku me ish-kancelarin gjerman Schröder, në atë që Rama e ka quajtur “vazhdën e intensifikimit të shkëmbimeve në të gjitha nivelet me Gjermaninë”.
“Me mbështetjen e Gjermanisë, këmi çuar përpara një sërë reformash të domosdoshme në vend si edhe përmes Procesit të Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Merkel, jemi angazhuar në një proces historik zhvillimesh edhe për të gjithë rajonin. Linja e interkonjeksionit me Kosovën, e cila përfundoi në muajin qershor, apo fillimi i punës për linjën e tensionit të lartë me Maqedoninë, në kuadrin e këtij Procesi, janë shembuj kuptimplotë të faktit që Gjermania është aleat i madh strategjik në rrugën tonë të modernizimit europian.
Modeli gjerman, që përmes reformës tonë në arsim e kemi adoptuar për arsimin tonë profesional, duke lidhur shkollën me ndërmarrjet, ka sjellë një shumëfishim spektakolar të numrit të vajzave dhe djemve që preferojnë arsimin profesional në dy vitet e fundit. Por ka ende më shumë punë për të bërë dhe një potencial ende shumë të madh për të shfrytëzuar. Për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian nuk kërkohet një biletë për të shkuar në Bruksel, por kërkohet një përpjekje e madhe për ta ndërtuar Europën këtu, për të bërë Shqipërinë një vend europian me një shtet funksional të së drejtës, konkurrencës së lirë dhe meritës”, shkruan Rama në rrjetete sociale.