Partia Demokratike votoi së bashku me maxhorancën ligjin për ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion (SPAK) dhe braktisi sallën e punimeve në Kuvend.
Pavarësisht largimit të opozitës, maxhoranca nisi e vetme votimin e ligjeve të tjera në kuadër të paketës së reformës, që pati jo pak debate gjatë ditës mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të Partisë Demokratike.
Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, projektligjin për “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” si dhe ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Ligjet janë miratuar me 86 vota pro, ndërsa 1 abstenim.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka abstenuar për të katër ligjet.
Ndërkohë është shtyrë ligji për organet e qeverisjes së pushtetit gjyqësor, i cili do të bënte të mundur ngritjen e KLGJ dhe KLP dhe Këshillit për Emërimet në Prokurori.
Gjithashtu Kuvendi ka miratuar edhe ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për pajisjen përgjuese, “për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për përdorimin dhe administrimin nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të pajisjes përgjuese IMSI Catcher, dhe realizimin nëpërmjet saj të përgjimeve të paligjshme”.
Pas dy vjet debatesh, tashmë mund ta themi me siguri se nga nesër, sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk do të jetë i njëjti. Paketa prej 6 ligjesh ngre jo thjesht institucione e mekanizma të reja, por sjell një koncept të ri të dhënies së drejtësisë. Ligji i parë e me i rëndësishmi është ai për “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Minimumi 10 prokurorë specialë dhe 10 gjyqtarë të posaçëm do të punojnë për të luftuar korrupsionin e ministrave e ish-ministrave, kryeministrave e ish-kryeministrave e çdo funksionari të lartë; ndërkohë që anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajnohen për 6 muaj në Shtetet e Bashkuara e në 2 vitet e para një komisioni i përbërë nga ekspertë te Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbikëqyrin punën e Byrosë Kombëtare te Hetimit.
Nga nesër nuk do të ekzistojë me Këshilli i Larte i Drejtësisë, por do të kemi një Këshill për gjyqësorin e një për Prokurorinë; do të kemi një inspektor të lartë të drejtësisë e do të kemi një këshill emërimesh që do të bëjë renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese; dhe ndoshta vitin e ardhshëm për të parën herë, nuk do të ketë zhurme politike e mediatike për zgjedhjen e Prokurorit te Përgjithshëm, pasi tashmë ai ka shumë pak kompetenca.
Por pas këtij momenti, prokurorët e gjyqtarët nuk do t’i nënshtrohen thjesht kontrolleve të rrepta, ata do të kenë edhe paga e pensione dinjitoze.
Me kalimin e 7 ligjeve, duke përfshirë edhe atë të vetingut, është mbyllur faza e pare e reformës ne drejtësi dhe tashmë është gati zbatimit i saj.