Një ditë pas publikimit të një shkrimi në BIRN, ku hidhen dyshime se Ilir Meta ka marrë ryshfet nga një kompani që mblidhet borxhet e CEZ, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha. Meqë bëhet fjalë për kohën kur qeveriste me Metën, Berisha thotë se ai nuk e ka autorizuar që të negociojë me çekët që Kastriot Ismailaj të mblidhte borxhin e CEZ
Nga Sali Berisha
Dje mediat online botuan akuzat e rënda për Ilir Metën nga avokati i studios së famshme Clifford Chance, e perzgjedhur nga Edi Rama, qeveria e tij për të mbrojtur palën shqiptare.
Kështu, dokumenta autentike dëshmojnë se avokati i famshëm i kësaj studioje Tim Schreibe, seancën e gjykimit në arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanise DIA të Kastriot Ismailajt, që ka vjedhur në bashkëpunim shuma të mëdha nga borxhet prej 200 milionë dollarë të CEZ, ka akuzuar Ilir Metën duke mos e cituar me emër, por duke thënë se kompania e Ismailajt i ka dhënë shuma të mëdha ryshfet një ish-kryeministri te akuzuar edhe më parë për korrupsion.
Avokati i Clifford Chance, njëra nga studiot më me emër në Europë, sipas dokumentit autentik, deklaroi në seancë sa vijon: “Brenda transfertave (përfituese) të lekëve që
DIA mori nga CEZ Shpërndarje, ishin politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish-kryeministër i proceduar më parë për korrupsion”.
Por një akuzë tjetër po kaq të rëndë për këtë aferë i bën Ilir Metës edhe ish- kreu i bordit të drejtorëve të CEZ, Jozef Hajsek, i cili ka dëshmuar se në kohën kur Meta ishte ministër i Jashtëm (jashtë çdo autorizimi) ka negociuar (pra jashte çdo autorizimi, shënimi i imi) me atë, që çekët e CEZ-it të punonin me Ismailajn, pasi ai kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij.
Përveç kësaj, studio Clifford Chance deklaron se ministria e Energjise dhe Minierave kishte rekomanduar Ismailajn si “kandidatin” e saj për këshillin e mbikëqyrjes të kompanisë.
Ndaj këtyre akuzave tejet të rënda, të bëra në seancën e gjykimit në arbitrazh ndërkombëtar nga vetë përfaqësuesit e shtetit shqiptar, të studios së famshme Clifford Chance, Ilir Meta, ashtu siç pritej, reagoi duke deklaruar se ai nuk jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën hetimit të domosdoshëm për këtë mega-aferë korruptive të tij dhe rrethit të tij.
Kurse Edi Rama, që për shumë ditë ka refuzuar t’u japë mediave sqarime për akuzat e studios së zgjedhur prej tij, bëri dje dudumin, u fsheh pas emrit të Metës ndaj akuzës tullë të avokatit, duke thënë se avokati në seancën e gjykimit nuk ka përmendur Ilir Metën me emër.
I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar.
Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama- Meta, që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë.
Në asnjë vend të qyteteruar kjo nuk mund të ndodhë.
Vetëm guximi, përgjegjesia juaj qytetare, revolucioni juaj demokratik do mund të shembë murin e tmerrshëm të korrupsionit dhe krimit të klikës së oligarkëve Rama- Meta, që po shkatërron çdo dite shpresën, të ardhmen dhe qenien tonë në këtë vend.
Të bashkohemi të gjithe pa asnjë dallim, të gjithë ata që duan dhe besojnë se ky vend do të bëhet!