Pas një debati të ndezur nga kreu i PD në Lushnje, Myslim Murrizi, se ish-Sigurimi ka marrë peng kreun e PD, Lulzim Basha, vijnë të tjera reagime.
Deputetja e PD, Mesila Doda, e cila përflitet se shumë shpejt mund t’i japë duart kësaj partie për të kaluar me çamët e PDIU, tha për gazetën Shqip se një nga arsyet se përse nuk u pranua drafti i saj dhe Shpëtim Idrizit të PDIU për lustracionin, është se spiunët janë kudo në administratë dhe politikë.
“Spiunët në politikën shqiptare dhe administratën e lartë shtetërore janë kudo dhe gëzojnë mbrojtje speciale. E kotë të bëjnë sot politikanët dhe shoqëria civile sikur nuk interesohen, sepse e pamë shqetësimin e tyre dhe sulmin e gjithanshëm kur depozituam ligjin që i hiqte xhelatët nga politika dhe ekzekutivi. Halli i shefave është si t’i kenë sa më të përdorshëm, nuk shqetësohen për ndonjë kriter etik apo njerëzor,” tha ajo, duke ‘thumbuar’ edhe Bashën.