Shifrat e gjermanëve tregojnë se numri i azilkërkuesve nga Shqipëria nuk është zvogëluar, si në rastin e shtetasve nga Kosova, por përkundrazi është rritur.
Azilkërkuesit shqiptarë vijojnë të renditen të dytët pas sirianëve edhe për muajin gusht.
Shifrat e bëra publike nga Ministria e Brendshme gjermane tregojnë se ky numër është rritur në krahasim me korrikun.
Janë 8.306 kërkesa për azil nga shqiptarët për muajin gusht, kundrejt 7.633 kërkesa në muajin korrik 2015.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani, pikërisht në landin e Bavarisë.
Sipas gazetës së njohur Sueddeutsche Zeitung, ai ka ardhur për të hapur ekspozitën “Daily Drawing”.
Bëhet fjalë për vizatimet e famshme të Ramës në fletët e punës.
Ka spekulime se këto vizatime edhe po shiten.
Gazeta nuk lë pa theksuar edhe çështjen e azilit, duke shkruar se Edi Rama jo vetëm pikturon mbi fletët e punës, por edhe i ka lexuar ato.
“Shqipëria po përjeton një eksod të të rinjve drejt Perëndimit. Ai nuk beson se mund ta ndalojë këtë. Por ai dëshiron që t’i arsimojë sa më mirë ata, që të mos vijnë si azilkërkues në dyert e Europës, por si forcë e kualifikuar punëtore. Dhe pastaj, ai shpreson, do kthehen një ditë, siç ka bërë vetë Edi Rama”, shkruan gazeta.