Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

I ZBEHTË! Skaneri i ekipit Basha

$
0
0

skaneri bashaDilemat e rrugëtimit politik të Lulzim Bashës, dy vjet pas ngjitjes në krye të PD. Performanca e zbehtë e ekipit drejtues që ka zgjedhur dhe sfumimi i ‘të rinjve premtues’ nga skena e madhe e politikës…Pse Bashës i duhen më shumë se kurrë për zgjedhjet e 2017-s aksione të mëdha politike dhe rikompozim i ekipit të tij me figura më përfaqësuese dhe më cilësore

Nga Nevila Perndoj

Në janar të vitit 2005, pak muaj para zgjedhjeve të qershorit, Lulzim Basha ishte një përjashtim i madh në politikë. Ai vinte në PD përmes Komitetit të Orientimit të Politikave pas një përvoje disavjeçare në departamentin e Drejtësisë të UNMIK në Kosovë. Asokohe, Basha kinse u lançua nga Berisha si fytyra e një politikani aspirues që shumë shpejt u bë ministër pas një fushate model disamujore për mandatin e deputetit fillimisht në Tiranë. Historia politike për Lulzim Bashën përsëritet sërish në muajin korrik të 2013-s, ku, po me mbështetjen (jo publike) të Berishës, ai siguron 80% të votave kundrejt kandidatit tjetër, deputetit të ndjerë, Sokol Olldashi. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Lulzim Basha erdhi në një kohë pa domethënien historike për vendin, por në një moment delikat për opozitën. Teza për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa” ishte konsumuar e po ashtu edhe aspirimet “Për liri dhe demokraci”, që Sali Berisha i përdori për më shumë se dy dekada jo vetëm ndaj kundërshtarëve, por edhe ndaj të vetëve, duke përjashtuar e duke rimbledhur aksione sa herë që ai e pa të nevojshme kur bëhej fjalë për pushtet. Lulzim Basha nuk i përket kësaj kohe, as këtij debati të diskutueshëm politik e madje as stofit politik të vetë Berishës. Basha erdhi në krye të partisë në një kohë aspak të favorshme për PD-në, me misionin e ringritjes së saj nga shkërmoqja që ajo pësoi si rezultat i qeverisjes tetëvjeçare, konsumimit politik, arrogancës, fodullëkut, distancimit të parimeve të së djathtës e shkëputjes nga realiteti.

Përpjekja për ngritjen pas rrëzimit

Duke startuar një proces të ngadaltë, por me kohën në avantazh, Basha u përpoq të ngrinte një strukturë drejtuese të re, që nuk sillte perceptimin e arsyeve të humbjes, të rifreskonte strukturat, të siguronte për herë të parë një database për anëtarësinë, me qëllimin e parë reflektimin e këtij modeli në lokalet e 21 qershorit. Por prova e parë nuk rezultoi e suksesshme. Krijimi i një modeli që nuk i përngjan paraardhësit të tij, retorika e moderuar, miksimi i prurjeve të reja me ish-ministrat e Berishës dhe kujdesi në disa raste i tepruar për të mos marrë vendime që prishin balanca të vjetra në PD, nuk e kanë ndihmuar dhe aq Lulzim Bashën. Ndryshe nga Berisha që ia imponoi koha, por edhe aftësia vendimmarrëse, Bashës më shumë se kurrë i nevojitet marrja e aksioneve nga stafi i tij politik që, as më shumë e as më pak, deri më sot nuk po rezulton efikas qoftë në angazhimet partiake, ashtu edhe ato politike.

Ekipi 

Në një ceremoni modeste në zyrën e stërmadhe të selisë së rindërtuar, Basha prezantoi një grup të rinjsh e të rejash, emrat e të cilëve për opinionin publik (përfshi ndonjë emër që kishte punuar që në kohën e qeverisë Nano) nuk kishin ndonjë domethënie politike. Një grup të rinjsh të doktoruar që mund të përfaqësonin më së miri fushat nga kishin ardhur, por jo PD-në. Prej më shumë se një viti, ky perceptim për ta nuk ndryshoi. Pakkush prej tyre (deri më tash) nuk solli cilësi përfaqësimi politik e për pasojë nuk arritën të krijonin qoftë edhe jo natyralisht atë lidhjen identitare me PD-në dhe të djathtën. Përveç disa tryezave që departamenti i të përndjekurve ndoqi në mënyrë të pavarur para zgjedhjeve lokale e ndonjë deklarate pa “zë” të ndonjë koordinatori, shumica prej tyre njihen më shumë për zellin e komenteve kohë pas kohe në faqet e tyre në Facebook, sesa në qëndrimet politike të PD-së. Kjo gjë u evidentua qartë edhe në debatet politike para zgjedhjeve lokale, kur asnjëri prej tyre nuk arriti të dallonte nga tjetri. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtuesit e departamenteve, shumica e të cilëve kanë prerje burokratësh, që teknikisht mund të jenë shumë të aftë, por pa spikatje politike në arenën e debatit politik.

Sekretariati

E njëjta situatë shihet edhe tek sekretariati. Përjashto daljet e herëpashershme të Enno Bozdos më shumë për aktivitetin e Bashkisë në kohën e drejtimit të Bashës (sesa për angazhimin e tij partiak), apo edhe sqimës e retorikës politike të Grida Dumës, por edhe kjo e fundit e tërhequr pas zgjedhjeve për bashkinë e Durrësit. Pjesa tjetër vazhdon ta ketë po aq të vonuar angazhimin publik në politikë sa edhe atë që kanë pasur në parti. Nuk ka shpëtuar nga ndonjë shënjim i aksiomës politike as Mateo Spaho, koordinatori ekonomik i PD-së, zëri i të cilit mbetet në kufijtë e deklaratave për shtyp që shërbejnë më së shumti si konsum politik i ditës sesa si një alternative që duhet ballafaquar me kundërshtarin.

Lidershipi

Me përcaktimin e lidershipit të ri, PD kishte shansin për të treguar se brenda saj do të fillonte një epokë e re reformash të mëdha. Por sot, lidershipi i ri i partisë po tregon zbehtësi si në të qënit e një ekipi politik të munguar, ashtu edhe në spikatjen e individualiteteve. Në postin e nënkryetarit të partisë është Edmond Spaho, i cili përveçse është votuar në strukturat e PD-së si njeri i paqtë dhe jokonfliktual, në angazhimin e tij partiak vlen për t’u diskutuar. Në kohën e qeverisë Berisha, ai ishte kryetar i komisionit të Ekonomisë dhe ka shërbyer gjithnjë si ekspert në këtë fushë. Katapultimi i tij si nënkryetar i partisë i votuar vetëm me votim të hapur nga anëtarët e Këshillit Kombëtar nuk shërbeu për më shumë për konjukturën e brendshme të partisë. Merita e tij mund të spikasë deri diku në angazhimin e tij për zgjedhjet e fundit për bashkinë e Pogradecit. Nënkryetari i dytë i partisë është Edi Paloka. Edhe ky i fundit u votëbesua me votim të hapur si nënkryetar i partisë me argumentin zyrtar se ai kishte kryer i komanduar prej më shumë së një viti detyrën e kryetarit të grupit parlamentar demokrat. Zgjedhja e Palokës në kupolën drejtuese në fakt nuk tregoi ndonjë risi. Paloka qëndron brenda profilit të tij politik dhe me meritë ai është personifikimi i qartë i vijimësisë politike në PD prej më shumë së një dekade, por a mjafton? Arben Ristani është figura e dytë më e rëndësishme në PD si Sekretar i Përgjithshëm i partisë, që për pak fitoi betejën në këtë detyrë me Enkelejd Alibeajn. Edhe pse lidhjet e Ristanit janë të forta sa me Bashën, aq edhe me Berishën, vetëm denoncimet nga foltorja e PD-së duket se nuk mjaftojnë për të plotësuar staturën e njeriut më të rëndësishëm në PD pas Bashës. Edhe Ristani, nisur nga backgroundi i tij më shumë juridik sesa partiak, nuk premton të paktën deri më tash ndonjë filozofi të re politike.

Këshilli Bashkiak i Tiranës

Për shumëkënd, këshilli bashkiak i Tiranës u pa si produkti i parë politik i Lulzim Bashës sa kohë që ai e kishte administruar këtë njësi për katër vjet. Por mbledhja e parë e këtij këshilli tregoi një staf teknicienësh demokratë pa busull, që do të mbahet mend gjatë për zellin e tepruar të debatit që degradoi për qenin e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Fushata

Zgjedhjet e 21 qershorit në disa njësi të vendit, për Partinë Demokratike treguan se ishin më shumë dështim i organizimit të brendshëm të partisë sesa faji i kandidatit apo cilësitë e kundërshtarit. Produkti jonatyral që u servir me disa emra të rinj që nuk u përkthyen në vota, mungesa e aftësisë së strukturave të reja, padituria e tyre për të njohur qoftë edhe strukturat bazë për shkak të katapultimit, lufta e brendshme mes të rinjve dhe të vjetërve dhe atyre që nuk njiheshin si mbështetës të Bashës, sollën një konsumim të madh e të kotë brenda vetë strukturave, që u reflektua në rezultat në zgjedhjet për kryebashkiak. PD dështoi të menaxhonte strukturat me stafin e ri drejtues sa kohë që figura solide të kësaj force politike si Sali Berisha, Jozefina Topalli, apo edhe Majlinda Bregu bënë mënjanë. Zgjedhjet e kaluara treguan se jo të gjithë duhen futur në një “thes” kur bëhet fjalë për të ardhmen e kësaj force politike. Angazhimi i dukshëm dhe fitues në fund por pa mbështetje partiake i kritikut Astrit Patozi, i ngarkuar në zgjedhjet për Vorën, tregoi se Basha duhet të vendosë në balancë të gjitha argumentet pro dhe kundër se me cilët bashkëpunëtorë të ngushtë duhet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme të 2017-s.

Grupi i PD

Një tjetër handikap që nuk e ndihmon Bashën është mënyra se si po menaxhohet grupi parlamentar demokrat. Imponimi i dukshëm politik i Sali Berishës (që më pas përkthehet në deklarata për shtyp të PD-së), kakofonia e situatës së krijuar brenda grupit ku një deputet mund të dalë i pavarur (Astrit Veliaj), tjetri (Mesila Doda) po shkon drejt PDIU-së, pakënaqësia e treguar edhe përmes fotosh në Kuvend e Majlinda Bregut, kritika e pavarur e Astrit Patozit, përgjumja e disa ish-ministrave ndaj punës së pasardhësve nga frika e ndonjë denoncimi ndaj tyre, apo edhe zelli i pamatë e bosh i disa të tjerëve, tregojnë se Lulzim Basha ka punë të gjatë për të bërë dhe për të vërtetuar te qytetarët se ai është i aftë që të qeverisë të nesërmen. Por me kë?

 

Forumi MAPO Weekend

Cili është bilanci i ekipit të Bashës, si duken sot në lakmuesin e kohës premtimet e koordinatorëve për një start të ri dhe çfarë produkti ka sjellë sekretariati i zgjedhur në Kuvendin e fundit. Dilemat e udhëtimit dyvjeçar të Bashës dhe bashkëpunëtorëve të tij; kush ka spikatur nga zyrtarët e rinj demokratë dhe kush ka mbijetuar nga “garda” e vjetër. Autonomia e Bashës ndaj Berishës dhe roli i këtij të fundit si lider historik.Mentor Nazarko, Agron Gjekmarkaj dhe Armand Shkullaku japin opinionet e tyre.

 

Mentor Nazarko: E vështirë të flasim për një rezultat të qartë të ekipit Basha

Në PD ka një diskutim për lidershipin Basha, sa autonom është në vendimmarrjen në krye të opozitës. Por, përtej këtij debati, po ekipi Basha si ka performuar në dy vitet e fundit?

Shkurt mund të them që mund të ketë në raste të veçanta shenja autonomie, por që të bëj një gjykim përfundimtar për këtë do duhet të kihet informacion se cilat janë marrëdhëniet reale mes Berishës dhe Bashës, pra midis paraardhësit dhe pasardhësit. Ne mund të gjykojmë vetëm mbi bazën e deklarimeve publike apo si interpretim i qëndrimeve publike të njërit apo tjetrit, për të kuptuar se cila është autonomia. Nuk ka diskutim që ka pasur disa shenja autonomie, veçanërisht sa i takon referencës për të ndjekur qasje ligjore kushtetuese në aksionin e opozitës, por ndërkohë ka një komponent që është i përbashkët që është vijim i veprimtarisë politike ndërmjet paraardhësit dhe pasardhësit, që është privilegjimi i denoncimit, jo ndërtimit në veprimtarinë e saj. Gjithsesi përfshirja me vonesë e opozitës në reformën e drejtësisë, në reformën administrative, është tregues i kësaj përpjekje për autonomi mendoj e Bashës në raport me trashëgiminë e paraardhësit.

Me thënë të drejtën ka një shfaqe të figurave të reja kryesisht në emisionet televizive. Aty është e vetmja hapësirë ku ti mund të verifikosh performancën e aktorëve të ri veç e veç. Mund të thuhet deri diku se ata përfaqësojnë njëlloj ndryshimi në raport me paraardhësin, por afërmendsh që veprimtaria kryesore politike e opozitës zhvillohet në parlament dhe njerëzit e zgjedhur aty janë të paraardhësit. Veprimtaria politike në parlament dominohet nga paraardhësi, në këtë kuptim është e vështirë të flasim për një rezultat të dallueshëm qartë të ekipit Basha në raport me trashëgiminë e paraardhësit. Për sa kohë që veprimtaria parlamentare është e dominuar prej Berishës, njerëzit e zgjedhur aty janë një qind  për qind prej tij, sa kohë kryetari i opozitës vetë nuk merr pjesë në atë parlament, atëherë është e vështirë të flitet për një bilanc të tij në pikëpamje të aksionit politik të opozitës.

Cili është opinioni juaj për prurjet e reja në PD, siç janë koordinatorët apo drejtuesit e departamenteve dhe cili ka spikatur prej tyre?

Siç të thashë, e vetmja mënyrë për ta ndjekur performancën e tyre është duke monitoruar emisionet televizive ku këta janë shfaqur, sepse nuk ka mekanizëm tjetër dhe për të verifikuar cilësinë e deklarimeve për shtyp që mund të jenë përgatitur nga njëri apo tjetri departament. Kjo kërkon një angazhim shumë të përqendruar. Gjithsesi e përsëris që preferenca apo dominimi i përmasës denoncuese në veprimtarinë e opozitës në parlament dhe jashtë parlamentit si në rastin e denoncimit të CEZ, tregon që opozita megjithëse udhëhiqet nga një jurist nuk tregon vetëdije ligjore dhe kushtetuese e para kjo, e dyta mungon qasja propozuese, alternativiste. Duket që përplasje midis rrymës së vjetër të përfaqësuar nga Berisha e cila është për bojkot të institucioneve, të denoncimeve shkatërruese të tyre dhe qasja së Bashës i cili vuan presionin e ndërkombëtarëve për  tu përfshirë në procese të tilla siç është reforma në drejtësi, bën që përfshirja e opozitës të jetë e vonuar. Vetëm këtu kemi shfaqe të autonomisë dhe subjektivitetit të Bashës.

Po nga “garda” e vjetër, kush mendoni se ka mbijetuar?

Ndërsa ti më grish që të gjykoj për dallimin Basha-Berisha  dhe unë nën trysninë e kësaj pyetje mundohem të gjej dallimet, nuk më bën që të harroj një fakt: Basha-Berisha janë pjesë e një grupi pushteti ekonomiko-politik, madje me lidhje me karakter kërthizor ose ombelikal, pra nuk mund t’i shkëputësh as në mënyrë definitive as që të dallosh që ky kështu apo ashtu. Gjithsesi për shkak të moshës së re, për shkak të formimit juridik, Basha deri diku në raste të veçanta ka treguar shenja konstruktiviteti dhe shenja të një politike të re. Në rastin për shembull të aksionit për dekriminalizimin është një rast ku megjithatë prapë kemi bashkim të kontributeve të dyja palëve. Në qoftë se Basha do të kishte dëgjuar vetëdijen e tij juridike dhe kushtetuese do duhej ta kishte shndërruar atë në një aksion e proces tërësor dekriminalizimi të politikës jo të lidhur vetëm me ata deputetë që janë në parlament por me të gjithë pasojat e njollosjes së politikës në të gjitha nivelet, njollosjes së shoqërisë, biznesit në të gjitha nivelet. Ky është rasti i artë i tij, po deri tani nuk po e shohim këtë, por po shohim që ky aksion po kalohet në disa elementë taktikë dhe ndoshta si pasojë presionin e Berishës po merr karakter fushatesk. Pra është përqendruar vetëm tek sukseset e menjëhershme siç do të ishin largimi i një dy apo tre deputetëve apo dy kryetarë të bashkive nga detyra. Në qoftë se Basha do kishte ndjekur ato… duhet ta kishte parë si proces më me karakter, më tërësor, më thelbësor më afatgjatë dhe jo thjesht denoncues.

 

Armand Shkullaku: Ekipi? Zgjedhje, por edhe bast i Lulëzim Bashës

Në PD ka një diskutim për lidershipin Basha, sa autonom është në vendimmarrjen në krye të opozitës. Por, përtej këtij debati, po ekipi Basha si ka performuar në dy vitet e fundit?

Kur diskutojmë për autonominë në vendimmarrjen e Lulzim Bashës, i referohemi gati automatikisht Sali Berishës. Nuk është aspak një mision i lehtë të krijosh individualitetin e një lideri, aq më tepër të liderit të opozitës, pas dominimit me dorë të hekurt dhe autoritet dominues për 25 vjet të Berishës. Hija e tij, edhe sikur të ishte tërhequr përfundimisht nga politika, mbetet dominuese dhe të mendosh se Sali Berisha është përsëri 24 orë në ditë në aktivitet. Jo vetëm Basha, por edhe kundërshtari i tij Edi Rama, të gjithë politikën që prodhon e ka nën ndikimin e Berishës, ndonëse ka më shumë se dy vjet që është në pushtet.

Ne jemi dëshmitarë që shpeshherë superaktiviteti i Berishës interferon në drejtimin e Bashës. Ndodh që deklarata të ish-liderit t’i paraprijnë qëndrimit zyrtar të PD-së, apo të bëhen pika referimi për mediat, siç ishte për shembull rasti në zgjedhjet e fundit lokale.

Por duhet pranuar edhe e vërteta tjetër, që Lulzim Basha nuk erdhi në krye të PD-së si kundërshtar apo alternativë ndryshe e Berishës, por si pasues dhe i preferuari i liderit historik. Ky fakt e vështirëson spikatjen e autoritetit të Bashës, që do kishte qenë më i dukshëm nëse do vinte si mohim apo kundërshtim i paraardhësit të tij. Le të kujtojmë, që edhe Edi Rama, e pati të vështirë të ishte bindës me autoritetin e tij si kryetar i ri i PS, por fakti që u pozicionua edhe si alternativë e lidershipit të Fatos Nanos, e ndihmoi të imponohej më shpejt brenda partisë. Pas politikanëve si Nano apo Berisha, çdo pasues i tyre mbart në mënyrë të pashmangshme dyshimin për aftësitë drejtuese. Koha e liderëve historikë ka përfunduar dhe mbushja e vendit që ata lënë bosh kërkon shumë prova për të qenë bindëse. Për Lulëzim Bashën ndoshta ka ardhur momenti që t’i japë këto prova.

Sa i takon ekipit Basha nuk janë dy vjet, por gati një vit që është vënë në provë. Disa prej tyre janë dalluar tashmë, disa të tjerë duhet të dalin nga anonimati jo me deklarata shtypi të parapërgatitura e statuse në facebook, por me aksione të dukshme politike. Për çdo ekip të ri rëndon një lloj ndjenje mosbesimi, për më tepër në një parti si PD, që është zhvilluar përmes përplasjesh e aksionesh të forta, dyshimi për të rinjtë është edhe më i madh. Ata janë zgjedhje por edhe bast i Lulëzim Bashës, prandaj fati i tyre lidhet edhe me autoritetin e ardhshëm të tij.

Cili është opinioni juaj për prurjet e reja në PD, siç janë koordinatorët apo drejtuesit e departamenteve dhe cili ka spikatur prej tyre?

E përmenda edhe më sipër, ka disa individë që menjëherë janë shquar. Që mediat i kërkojnë t’i kenë si zë opozitar dhe që në një kohë të shkurtër kanë mundur të dallohen. Por pjesa më e madhe janë ende në provë. Nuk do të preferoja të veçoja dikë me emër, por për mua, duke e kundruar nga pozita e një drejtuesi medie, departamenti ekonomik po bën një punë të mirë.

Po nga “garda” e vjetër, kush mendoni se ka mbijetuar?   

Shumë. Por do të veçoja Astrit Patozin. Tani për tani mbetet zëri më serioz dhe më i besueshëm i opozitës në Kuvend.

 

 

Agron Gjekmarkaj: Basha nuk duhet të rrijë pambarimisht në udhëkryq, në gjendje hibride

Në PD ka një diskutim për lidershipin Basha, sa autonom është në vendimmarrjen në krye të opozitës. Por, përtej këtij debati, po ekipi Basha si ka performuar në dy vitet e fundit?

Basha nuk është në pozitë komode. E ka marrë PD-në në një moment tejet të vështirë, pas një humbjeje shokuese. Basha vërtet i humbi zgjedhjet lokale, provën e parë gjatë drejtimit të tij, por PD nuk u shkërmoq, mbijetoi dhe pati një ngritje të lehtë. Prezenca aktive e Sali Berishës duket sikur ia dublon rolin, por Basha duhet të gjejë instrumente të reja për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe kjo varet prej tij. Ai është kryetar i PD-së dhe me aksionin politik duhet të bëhet lider i saj. Epoka historike ‘Basha’ s’ka nisur ende, por lidershipi i tij deri pas rezultatit të vitit 2017 s’ka arsye të vihet në diskutim. Ai nuk duhet të rrijë pambarimisht në udhëkryq, në gjendje hibride. Berisha e ka të pamundur heshtjen dhe hijen, fjala dhe gjesti janë pasion i tij. Berisha bën ato denoncime që askush tjetër në këtë vend nuk ka guximin t’i bëjë. Ndodh kështu sepse ai ka imunitet historik, por nga ana tjetër të tjerët kanë frikë dhe kjo është dëshmi e një realiteti preokupues ku jetojmë. Standardi i sigurisë është i cenuar. Kështu që kjo anë e medaljes Bashës i shërben. Mendoj që Basha ka pavarësi në vendime, por druaj se kur merr vendimet e gabuara kthehet e pyet Berishën dhe kështu e humbet pak autosuficencën i kompleksuar nga pesha e historisë. Basha mund të akuzohet se nuk ka bërë disa gjëra, por nga ana tjetër, në raport me publikun ka pasur qëndrim dhe gjuhë  korrekte. Suksesi i tij më i madh është tema e dekriminalizimit. Në këtë betejë ai po e mund mazhorancën falë edhe zërave aktivë në parlament si Berisha, Topalli, e së fundmi edhe Patozi e ndonjë tjetër. Në dy vjet, ndonëse unë besoj se ka qenë autonom, ka krijuar dyshime që nuk është i tillë. Basha, eksperiencën Berisha mund ta përdorë si njohje, por nuk e imiton dot në asgjë e as duhet ta tentojë. Një qasje e re është e mundur. E ka të pamundur të sillet si autokrat. Shqipëria ka ndryshuar dhe Basha duhet t’i përgjigjet këtij ndryshimi me sa më pak retorikë dhe sa më shumë konkretësi. Tashmë  vetëm fjala dhe buzëqeshja nuk janë të mjaftueshme si peng besimi.

Cili është opinion juaj për prurjet e reja në PD, siç janë koordinatorët apo drejtuesit e departamenteve dhe cili ka spikatur prej tyre?

Nuk e di kush mund të quhen prurje te reja në PD! Prurja është diçka që sjell ndryshim, është fluks mendimi dhe përfaqësimi. Prurje nuk mund të konsiderohen 30 a 50 vetë që njeh Kryetari direkt apo që dikush ia ka prezantuar atij. Prurja është cilësi dhe model. Prurje nuk do të thotë ta mbushesh një parti me të panjohur, të cilët si punë të parë në jetë kanë atashimin në PD. Si tipologji kjo është e provuar. “Rilindja” e Ramës u mbështet mbi një duzinë freskaxhinjsh të shefit. Ata u bënë të njohur si emra publikë në lexim deklaratash apo më vonë si përfaqësues partie në TV dhe në parlament, por nuk u kuptua kurrë se çfarë pune apo  profesioni kanë bërë në jetë përveç shfrytëzimit të hapësirës sa herë kanë pasur mundësi për të thënë “Rama është gjeni”. Basha me koordinatorët nuk ka qullosur gjë dhe nuk ka shumë kohë për të humbur. Të gjithë ata (koordinatorët) siç u shpreh njëri sish në një emision darke, thonë pak a shumë që Basha është gjeni dhe model jete megjithëse 40 vjeç. Opinioni publik për të investuar besim te PD-ja ka nevojë për referenca dhe jo për anonimë. Për njerëz me emër dhe fytyrë publike, të sprovuar në jetën publike. Pse jo, PD-ja duhet të trokasë tek elitat, te bota akademike, te shoqëria civile, te personalitetet, te profesionistët, këtë duhet ta bëjë në Tiranë, por edhe në rrethe sepse modeli i militantëve dhe ai i të fortëve e ka çuar Shqipërinë drejt një rrokupoje, e cila nuk dimë se ku do ndalet. Basha duhet të strukturojë ofertat e tij për grupet shoqërore dhe bashkë me ta ofertat për elektoratin, ku të spikasin idetë e qarta dhe njerëzit, të cilët mund të gjykohen për ç’kanë qenë dhe jo thjesht për premtimet që japin. Prurje gjithashtu mund të konsiderohen edhe eminencat e PD-së që janë larguar për arsye të ndryshme, si Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Uran Butka, Bardhyl Londo, Mark Marku, Selami Xhepa e të tjerë.

Po nga “garda” e vjetër, kush mendoni se ka mbijetuar?

Po e filloj me ata që nuk kanë mbijetuar. Mendoj se të gjithë ata që e kanë rrasur dorën në hajdutëri dhe kusari, pavarësisht se nuk janë dyerve të gjykatave por gjykohen nga opinioni publik si të tillë, janë të mbaruar politikisht. Në këtë kategori  përfshihen edhe  ish drejtues të lartë të PD , ish ministra  të cilët mund të jenë ënde edhe deputet apo grupe të tjera që përpiqen të mbeten në politikë. Më të përbuzurit mbeten hajdutët dhe në psikologjinë e elektoratit mandati i dytë PD+LSI ishte peng i këtij fenomeni. Si nënkategori do të përfshija injorantët e pashtyllë kurrizore, prezervativë politikë që e kanë përdorur hapësirën publike sikur të ishte një poligon qitjeje me baltë. Ka pasur periudha sa fjala intelektual dukej si tepri në PD, si bezdi kur mjaftonte të ishe “besnik” shumë prej të cilëve u kanë rënë poturet rrugëve dhe si ashikë të vesit i shkelin syrin e stërvitur pushtetit. Por nga ana tjetër PD ka edhe personalitete e njerëz cilësorë, falë të cilëve ka arritur suksese të pamohueshme në tetë vite qeverisje. I pari i mbijetuar  megjithë  është bartësi më i madh i virtyteve dhe defekteve të asaj partie është Sali Berisha, i cili identifikohet me  historinë 25-vjeçare të PD-së, i mbijetuar aq sa për të qenë një zë i rëndësishëm  dhe i respektuar në PD. Nuk ka parti serioze pa traditë historike, ish-presidentët francezë gjithmonë janë parë si figura morale në partitë e tyre në këtë kontekst, Berisha është një i mbijetuar origjinal. Jozefina Topalli si politikane mirëfilli ideologjike por edhe si një kartë morale antikorrupsion, mendoj se meriton respekt dhe vend më aktiv në PD. Ajo duhet të jetë afër kreut. Topalli nuk ka patur pushtet ekzekutiv, por honorifik realisht, përtej faktit se ajo i bashkohet përgjegjësisë së humbjes së PD-së për aleancë etike nuk është aq përgjegjëse, me përvojën dhe grintën politike mund të jetë shume e dobishme për PD-në e Lulzim Bashës për kompaktësimin e të djathtëve në PD. Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Genc Pollo, Aldo Bumçi, Jorida Tabaku më duken gjithashtu politikanë që ende mund të japin kontribut në ringritjen e PD-së pa patur frikë se dikush iu kërkon hesap për keq apo ndërron kanal kur ata flasin.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143